Driton Kuka: Të lutemi për Shqipërinë tonë

  • 26 November 2019 - 12:22
Driton Kuka: Të lutemi për Shqipërinë tonë

Trajneri i famshëm i xhudos, Driton Kuka, ka kërkuar nga të gjithë që të luten për sa më pak viktima nga tërmetet në Shqipëri, përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe rreth 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

Në mesin e personave të shumtë nga bota e sportit që kanë reaguar pas këtyre lajmeve është trajneri i xhudistëve të famshëm në Kosovë, Driton Kuka.

“Të lutemi për Shqipërinë tonë! Për sa me pak viktima nga tërmetet që goditën sot në mëngjes. Me mendje e zemër jemi afër familjeve që sot humbën më të dashurit e tyre”, shkruhet në postimin e Driton Kukës.

“Të solidarizohemi për të ndihmuar aty ku ka nevojë që së bashku të përballojmë pasojat e tërmetit fatal!”

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar. 

(Kosova Sot Online)