Flet Armand Duka, pas tërmeteve në Shqipëri: Jemi një skuadër me të gjithë shqiptarët

  • 26 November 2019 - 12:30
Flet Armand Duka, pas tërmeteve në Shqipëri: Jemi një skuadër me të gjithë shqiptarët

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka publikuar një mesazh në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ku e ka shprehur dhimbjen e tij në lidhje me të prekurit nga tërmetet në Shqipëri.

13 persona kanë humbur jetën dhe rreth 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

Në mesin e personave të shumtë nga bota e sportit që kanë reaguar pas këtyre lajmeve është presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

“Të gjithë jemi prekur fizikisht apo shpirtërisht nga ky tërmet shkatërrimtar! Dhimbja jonë e madhe shkon për ata që humbën jetën, ndërsa solidarizohemi me të lënduarit dhe familjet e tyre. Jemi një skuadër me të gjithë shqiptarët, le ta kalojmë këtë ditë të vështirë së bashku!”, shkroi Duka në Facebook.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar. 

(Kosova Sot Online)