Mustafi u bashkohet lutjeve për Shqipërinë: Në duar të Zotit

  • 26 November 2019 - 13:02
Mustafi u bashkohet lutjeve për Shqipërinë: Në duar të Zotit

Qendërmbrojtësi me origjinë shqiptare i Arsenalit, Shkodran Mustafi, i është bashkuar numrit të madh të futbollistëve që janë lutur për Shqipërisë, e cila sot u godit nga disa tërmete të fuqishme.

13 persona kanë humbur jetën dhe rreth 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

Në mesin e personave të shumtë nga bota e sportit që kanë reaguar pas këtyre lajmeve është qendërmbrojtësi i Arsenalit me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi.

“Në lutjet tona. Në duar të Zotit”, shkroi Mustafi mbi fotografinë e flamurit të Shqipërisë.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar. 

(Kosova Sot Online)