Reagon edhe faqja zyrtare e Milanit: Në mendje i kemi vëllezërit dhe motrat në Shqipëri

  • 26 November 2019 - 14:04
Reagon edhe faqja zyrtare e Milanit: Në mendje i kemi vëllezërit dhe motrat në Shqipëri

Faqja zyrtare e Milanit në rrjetin social Twitter e ka publikuar një mesazh lidhur me të prekurit nga tërmetet në Shqipëri.

13 persona kanë humbur jetën dhe rreth 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

Në mesin e personave dhe llogarive të shumta nga bota e sportit që kanë reaguar pas këtyre lajmeve tani është edhe faqja zyrtare e Milanit, që e publikoi një mesazh për Shqipërinë në llogarinë zyrtare në Twitter.

“Në këtë kohë tragjike, në mendjen tonë i kemi vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri, që janë goditur nga tërmetet katastrofike. Qëndroni të fortë”, shkruhet në llogarinë zyrtare të Milanit.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar. 

(Kosova Sot Online)