De Biasi: Me tërë zemrën ia shpreh afërsinë dhe dhimbjen time tërë popullit shqiptar

  • 26 November 2019 - 17:33
De Biasi: Me tërë zemrën ia shpreh afërsinë dhe dhimbjen time tërë popullit shqiptar

Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, e ka ngushëlluar popullin shqiptar për viktimat e tërmetit shkatërrues, që e goditi vendin disa gjatë ditës së marte, duke u lutur që vendi t’i kthehet normalitetit sa më parë.

Tetëmbëdhjetë persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, kryesisht zonën e Durrësit, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Trajneri italian De Biasi, i cili e udhëhoqi Kombëtaren kuqezi drejt pjesëmarrjes historike për herë të parë në një garë të madhe, në Kampionatin Evropian 2016 në Francë, ndien dhimbje për tragjedinë që e goditi popullin shqiptar.

“Me tërë zemrën time ua shpreh afërsinë time, dhimbjen time, viktimave dhe tërë popullatës së goditur nga tërmeti në Shqipëri”, shkroi De Biasi në llogarinë e vet zyrtare në Facebook.

“Shpresoj fuqimisht që normaliteti të kthehet sa më shpjet dhe që personat që i kanë humbur shtëpinë të ndihmohen sa më shumë që të jetë e mundur. Ngushëllime atyre që i kanë humbur më të afërmit e tyre në këtë ngjarje të dhimbshme. Kini guxim dhe fuqi veprimi. Forca Shqipëria”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)