Tifozët e klubeve kosovare bashkohet për ta ndihmuar Shqipërinë, pas tërmetit tragjik

  • 26 November 2019 - 19:46
Tifozët e klubeve kosovare bashkohet për ta ndihmuar Shqipërinë, pas tërmetit tragjik

Grupet e tifozëve të klubeve sportive në Kosovë janë bashkuar për t’i ndalë në ndihmë Shqipërisë, e cila u godit nga një tërmet tragjik të martën në orët e hershme, duke i lënë dhjetra të vdekur dhe qindra të lënduar.

Njëzet persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

“Plisat”, “Ujqit”, “Arpagjikët”, “Intelektualët”, “Torcida”, “Vreshtarët” e të tjera janë organizuar për të mbledhur ndihma për qytetarët e prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Dhjetëra të rinj të tifozerisë së qytetit, “Ujqit” e grupe të tjera qytetare janë mbledhur sonte në sheshin para Komunës së Ferizajt me qëllim grumbullimin e veshmbathjeve dhe ushqimeve në ndihmë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që këtë mëngjes u goditën nga tërmeti shkatërrimtar.

Të bashkuar rreth këtij qëllimi solidar, përfaqësuesit e tifozerisë “Ujqit” thanë se me këtë nismë sadopak synojnë të ndihmojnë rimëkëmbjen pas shkatërrimeve të evidentuara sot nga tërmeti që epiqendër pati Durrësin dhe zona tjera përreth, që për fatin e keq, pati edhe viktima e dëme materiale.

Për t’i garantuar mbështetjen e tij dhe qeverisjes lokale në këtë nismë solidare, doli edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorët komunalë, i cili i siguroi këtij komuniteti dhe gjithë nismave të tilla komunitare, mbështetjen e pakursyer në ndihmë Republikës së Shqipërisë nga dëmet e tërmetit.

Nga kjo nismë kërkohet nga qytetarët e Ferizajt që të sjellin veshmbathje e ushqime që sadopak do të ndikonin në përballimin më të lehtë të gjithë kësaj situate.

(Kosova Sot Online)