Mourinho sqaron pse e zëvendësoi Dierin pas vetëm 29 minutave lojë

  • 27 November 2019 - 09:26
Mourinho sqaron pse e zëvendësoi Dierin pas vetëm 29 minutave lojë

ose Mourinho ka zbuluar pse vendosi ta zëvendësojë Eric Dierin qysh gjatë pjesës së parë të fitores me rezultat 4:2 në shtëpi të Tottenhamit kundër Olympiacosit, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Eric Dier u zëvendësua nga Christian Eriksen vetëm 29 minuta pasi filloi ndeshja e së martës në kuadër të Grupit B, kur Tottenhami ishte duke humbur me rezultat 2:0, pasi Youssef El-Arabi dhe Ruben Semedo i kishin tronditur mysafirët me nga një gol.

Ndryshimi i hershëm në formacion në fund dëshmoi të ketë qenë i duhuri pasi që klubi londinez arriti ta përmbysë rezultatin dhe t’i marrë tri pikët e nevojshme për ta arritur fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.

Por, trajneri Mourinho, i cili e zhvilloi vetëm ndeshjen e dytë të tij në këtë post pasi javën e kaluar e zëvendësoi Mauricio Pochettinon e shkarkuar, i kërkoi falje shpejt Dierit pasi e sakrifikoi atë pas rreth gjysmë ore lojë.

“Gjëja e parë që e bëra kur hyra në zhveshtore ishte t’i kërkoja falje Eric Dierit. Nuk është kurrë e lehtë për një lojtar, por as për stafin teknik të skuadrës”, ka thënë Mourinho.

“E mora atë vendim për skuadrën dhe neve na duhej një zgjidhje tjetër. Ne po humbnim 2:0, ata ishin duke luajtur shumë mirë dhe mua më duhej një lojtar i dytë si Dele Alli që t’i rrezikojë. Ishte mes Dierit dhe Harry Winks, ishte vendim i vështirë”.

“Ata e kuptuan, Erici e kupton por realiteti është se një gjë e tillë nuk është kurrë e lehtë dhe, për ta bërë të qartë, e gjitha kishte të bënte me skuadrën e jo individët. Fillimisht mendova ta largoj njërin nga qendërmbrojtësit dhe ta lë Ericin në mbrojtje”.

(Kosova Sot Online )