Solidarizim e ndihma, KB Peja në krah të Shqipërisë pas tërmetit

  • 27 November 2019 - 09:45
Solidarizim e ndihma, KB Peja në krah të Shqipërisë pas tërmetit

Klubi i basketbollit Peja është solidarizuar me të prekurit nga tërmeti e paslëkundjet që nisën të martën në mëngjes në Shqipëri, për të cilët ka ofruar edhe ndihma.

24 persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të djeshëm.

Në ndeshjen e Superligës së Kosovës mes Yllit dhe Bashkimit, të dyja ekipet mbajtën të veshura fanella me mbishkrimin “Me ty, Shqipëri!” për ta shprehur solidaritetin me të prekurit nga fatkeqësia në Shqipëri.

Ndërsa, klubi tjetër kosovar Peja ka njoftuar përmes një postimi në llogarinë zyrtare se do t’i dërgojë për ndihmë të gjitha të ardhurat që do të vijnë nga takimi mes Pejës dhe Feronikelit.

“Klubi i Basketbollit Peja ka vendosur që të gjitha të hyrat nga ndeshja KB Peja vs KB Feronikeli ti dedikohen motrave dhe vëllezërve tonë në Shqipëri që pësuan shumë sot nga tërmeti”, ka shkruar Peja në llogarinë zyrtare.

“Të gjithë në palestër, t’ju tregojmë të gjithëve se sporti ngadhënjen mbi çdo fatkeqësi dhe dhimbje si dhe të ndihmojmë të dëmtuarit. Nesër ndeshja është më shumë se Sport, është suport për të gjithë ata që pësuan në këtë fatkeqësi”.Si pasojë e kësaj fatkeqësie, Federata e Basketbollit e Kosovës ka vendosur që t’i shtyjë për të enjten dy ndeshjet e Superligës të cilat ishin planifikuar të zhvillohen sot, e mërkurë, përfshirë këtu atë të Pejës.

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ju njofton se dy ndeshjet e Superligës, Peja-Feronikeli dhe Ponte Prizreni-Lipjani, që ishin paraparë të zhvilloheshin të mërkurën (sot) janë shtyrë për të enjten (nesër)”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga FBK-ja.

Vendimi është marrë nga Federata e Basketbollit të Kosovës, duke ditur se sot është ditë zie në Kosovë.

“Vendimi vjen pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të mërkurën e ka shpallur ditë zie në shenjë solidarizimi për viktimat e tërmetit në Shqipëri”, sqaron FBK-ja.

Dy ndeshjet e Superligës do të zhvillohen të enjten nga ora 19:00. Dy takimet zhvillohen në kuadër të xhiros së 13-të.

(Kosova Sot Online )