Pezullohen ndeshjet e futbollit për të gjithë javën, shkaku i tërmetit

  • 27 November 2019 - 10:01
Pezullohen ndeshjet e futbollit për të gjithë javën, shkaku i tërmetit

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka bërë të ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare se janë shtyrë të gjitha ndeshjet e futbollit të kësaj jave, për shkak të gjendjes në Shqipëri pas tërmetit të së martës.

27 persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të djeshëm.

Për personat e tjerë të prekur nga tërmeti është ofruar strehim nëpër tenda të ngritura në stadiume, si në Durrës e Tiranë, ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se ndeshjet e të gjithë javës do të shtyhen, raporton Gazeta Express.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë të gjithë opinionin publik, klubet, tifozët, se për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar pas tërmetit që ka goditur vendin tonë ditën e sotme, i gjithë aktiviteti futbollistik për këtë javë është ndërprerë”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga FSHF-ja.

“Sytë dhe zemrat tona janë pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre dhe solidarizohemi me të lënduarit nga kjo ditë e vështirë”.

“Sektori Garave në FSHF do të njoftojë në ditët në vazhdim datat e reja për këtë javë të spostuar”.

Ndërkohë, edhe në Kosovës Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur që të shtyhen ndeshjet që ishin planifikuar të mbahen të mërkurën, pasi që është shpallur ditë zie. Vendimin e njëjtë e ka marrë edhe Federata e Basketbollit e Kosovës. 

(Kosova Sot Online)