Plisat vazhdojnë grumbullimin e ndihmave edhe sot, kërkojnë më shumë produkte ushqimore

  • 27 November 2019 - 10:21
Plisat vazhdojnë grumbullimin e ndihmave edhe sot, kërkojnë më shumë produkte ushqimore

Pas suksesit të iniciativës të së martës për të grumbulluar ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, grupi i tifozëve “Plisat” ka bërë të ditur se do ta vazhdojnë këtë iniciativë edhe sot.

28 persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të djeshëm.

Për personat e tjerë të prekur nga tërmeti është ofruar strehim nëpër tenda të ngritura në stadiume, si në Durrës e Tiranë, ndërsa grupit “Plisat” dhe disa grupe e organizata të tjera kanë grumbulluar ndihma për t’i dërguar në Shqipëri.

Pasi grumbulluan ndihma të dhëna vullnetarisht nga qytetarët e Kosovës gjatë gjithë ditës së djeshme, Plisat u nisën për në Durrës ndërsa u kthyen edhe me 30 banorë të Durrësit, për të cilët ofruan strehim në Prishtinë.

“250 familje u furnizuan me gjërat elementare. Veshmbathje, ushqim, higjienë, batanije dhe barna. Tashmë morëm rrugën për Prishtinë. Rrugës nuk po kthehemi të vetëm. Bashkë me ne i morëm 30 banorë të Durrësit për t’i strehuar në Prishtinë. Vazhdojmë nesër!”, thuhej në deklaratën e Plisave në Facebook.

Tani, përmes po të njëjtit rrjet social, grupi Plisat kanë bërë të ditur se grumbullimi i ndihmave do të bëhet edhe nesër dhe se këto ndihma do të nisen disa herë gjatë ditës. Plisat kanë kërkuar që qytetarët të fokusohen në dhurimin e produkteve ushqimore.

“Ju falënderojmë të gjithëve që po i përgjigjeni ftesës sonë për ndihmë kaq bujarisht. Është e mahnitshme sa të fuqishëm janë shqiptarët e bashkuar”, shkruajnë Plisat.

“Duke e parë gjendjen nga afër, ju bëjmë thirrje që ta fokusoni ndihmën tuaj në produkte ushqimore sepse në këtë moment, ato janë më të nevojshmet në kampet ku po qëndrojnë motrat e vëllezërit tanë”.

“Sot do të nisemi përsëri, disa herë gjatë ditës”. 

(Kosova Sot Online)