Real Madridi e konfirmon shkallën e lëndimit të Hazardit

  • 27 November 2019 - 14:43
Real Madridi e konfirmon shkallën e lëndimit të Hazardit

Real Madridi e ka konfirmuar se Eden Hazardit i është mavijosur këmba, duke i qetësuar tifozët të cilët fillimisht ishin frikësuar se ylli belg do të humbiste më shumë ndeshje shkaku i këtij lëndimi.

Eden Hazardi pati nevojë për ndihmën e stafit mjekësor për të dalë nga fusha e lojës gjatë barazimit 2:2 të Real Madridit me Paris Saint-Germainin të martën, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Shqetësimet e tifozëve se Hazardi mund të mungojë nga skuadra e “Los Blancos” për një kohë më të gjatë janë hedhur poshtë, pasi që Real Madridi e ka konfirmuar se belgu po vuan vetëm nga një mavijosje e këmbës.

Megjithatë, në deklaratën e lëshuar nga faqja zyrtare e Real Madridit nuk është bërë e ditur se sa kohë do t’i duhet belgut për t’u rikuperuar.

“Pas testeve mjekësore që iu bënë sot lojtarin tonë, Eden Hazard, nga stafi mjekësor i Real Madridit, ai është diagnostikuar nga një mavijosje e jashtme në këmbën e tij të djathtë. Rikuperimi i tij do të monitorohet vazhdimisht”, thuhet në njoftim.

Hazardi u zëvendësua në pjesën e dytë të ndeshjes që po zhvillohej në Santiago Bernabeu pasi që pësoi një lëndim në kyçin e këmbës, pas një ndërhyrjeje nga bashkëkombësi i tij belg, Thomas Meunier.

Zidane, skuadra e së cilit tani e ka të garantuar kualifikimin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve nga Grupi A, mbeti i shqetësuar nga lëndimi që e pësoi belgu.

“Po, është shqetësues. Është më shumë sesa një goditje e thjeshtë, por unë shpresoj të jetë më e vogël”, u shpreh Zidane, në konferencën për shtyp, pas ndeshjes.

“Unë nuk mund të them se çfarë do të ndodh menjëherë. Ata kanë shkuar për t’i kryer edhe disa teste dhe më vonë do ta kuptojmë”.

Skuadra e Zidanit tashmë mund ta presë me emocione shortin për fazën eliminatore, që do të nisë në shkurt, ndërsa futbollistët e Los Blancos do të përqendrohen te përballja e së shtunës me Deportivo Alavesin. 

(Kosova Sot Online)