Drejtori i Juventusit: S’jemi të interesuar për Rakiticin

  • 27 November 2019 - 15:01
Drejtori i Juventusit: S’jemi të interesuar për Rakiticin

Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, theksoi se bardhezinjtë nuk janë të interesuar për transferimin e mesfushorit të Barcelonës, Ivan Rakitic, ndërsa shtoi se, sipas tij, Matthijs de Ligt do të bëhet mbrojtësi më i mirë në botë.

Mesfushori kroat nuk e ka më të sigurt pozitën e mesfushorit në formacionin e parë në Camp Nou këtë sezon dhe ai rrjedhimisht është përfolur për një largim nga Barcelona.

Në mesin e shumë klubeve që janë spekuluar vazhdimisht si destinacionet e ardhshme të Rakiticit janë edhe dy gjigantet e mëdha të Serisë A, Juventusi dhe Interi. Megjithatë, drejtori i Juventusit ka tentuar t’i shuajë këto spekulime.

“Ne e kemi një skuadër të mrekullueshme dhe nuk po kërkojmë për përforcime për momentin. Jemi të fortë në çdo pozitë të mundshme”, tha Paratici në një intervistë të dhënë për ESPN, kur u pyet se a është Juventusi i interesuar ta blejë Rakiticin.

Drejtori sportiv i Juventusit pastaj u pyet për deklaratën e fundit të drejtorit të akademisë së Barcelonës, Patrick Kluivertit, i cili tha se De Ligti është penduar për kalimin e tij 75 milionë eurosh në Juventus gjatë verës, kur i zgjodhi italianët para katalonasve.

“Unë nuk e shoh ashtu. Ai së shpejti do të bëhet mbrojtësi më i mirë në botë”.

(Kosova Sot Online)