Milani ndihet i sigurt për transferimin e Ibrahimovicit

  • 29 November 2019 - 09:14
Milani ndihet i sigurt për transferimin e Ibrahimovicit

Drejtuesit e Milanit ndihen të sigurt se do të arrijnë ta sigurojnë transferimin e Zlatan Ibrahimovicit gjatë afatit kalimtar të janarit, për të cilin është përfolur që një kohë të gjatë.

Mediumet italiane pretendojnë se Zlatan Ibrahimovici është afër transferimit në Milan dhe se gjatë ditëve në vazhdim drejtuesit e kuqezinjve do të takohen me përfaqësuesin e suedezit, Mino Raiolan.

 

Suedezi Ibrahimovic është përfolur për një kthim në klubin kuqezi që kur u largua në vitin 2012, ndërsa këto spekulime u intensifikuan gjatë kohës së fundit, pasi që futbollisti është transferim i lirë.

Ibrahimovici, i cili e filloi karrierën e tij me Malmon, ka qenë në kërkim të një klubi të ri që kur u konfirmua largimi i tij nga klubi amerikan La Galaxy në nëntor. Ai i kishte shënuar 56 gola në 85 ndeshjet e dy sezoneve të tij me Milanin, duke e fituar titullin e Serisë A në sezonin 2010/11.

Duke folur për Rai Sport, Adriano Galliani – i cili e kishte transferuar sulmuesin në Milan në vitin 2010 – e pranoi se do t’i pëlqente ta shihte sërish suedezin në San Siro.

“Do të ishte romantike nëse ai do të kthehej. Por unë e kam një rregull tani, nuk flas për klubet me të cilat nuk jam i përfshirë më. Tani jam vetëm tifoz i Milanit”, ka thënë Galliani.

“Megjithatë, ardhja e tij do ta pasuronte futbollin italian, ngjashëm me atë që ndodhi kur Cristiano Ronaldo erdhi në Itali”.

Edhe Bologna dhe Napoli janë përfolur për transferimin e Ibrahimovicit, përkundër që ai është 38-vjeçar.

Ndërkohë, Manchester Unitedi e ka përjashtuar mundësinë e kthimit të suedezit në Old Trafford dhe mësohet se agjenti i tij, Mino Raiola, ka qenë në bisedime me disa klube italiane, veçanërisht me Milanin.

(Kosova Sot Online )