Solskjaer i siguron tifozët: Kthimi i Pogbas do të ndikojë si blerje e re në skuadër

  • 29 November 2019 - 13:14
Solskjaer i siguron tifozët: Kthimi i Pogbas do të ndikojë si blerje e re në skuadër

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer thotë se kthimi i mesfushorit Paul Pogba nga lëndimi do të jetë si një blerje e re e klasit botëror për Manchester Unitedin, pasi që francezi është duke iu afruar rikuperimit të plotë nga lëndimi i kyçit të këmbës.

Fituesi i Kupës së Botës ka qenë jashtë fushës së blertë që nga shtatori dhe, gjatë kësaj kohe, kanë vazhduar spekulimet për të ardhmen e tij, veçanërisht tani që po afrohet afati kalimtar i janarit.

Megjithatë Solskjaer nuk ka dhënë asnjë shenjë se ai planifikon t’i ndajë rrugët me Pogban, por, në vend të kësaj, ka thënë se shpresoj që 26-vjeçari do t’i bashkohet sërish skuadrës së Djajve të Kuq sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Pauli është duke përparuar në procesin e tij rikuperues dhe do ta shohim se sa shpejt do të arrijë ai në gjendje mjaftueshëm të mirë për të luajtur dhe për të qenë në dispozicion për skuadrën’, tha trajneri norvegjez.

“Natyrisht, ai do ta jetë si një blerje e re për ne. Ai nuk ka pasur mundësi të luajë për ne së fundi dhe, kur të kthehet, do të jetë sikur ta kemi blerë një superlojtar të ri dhe një mesfushor të klasit botëror”.

“Ne e duam kthimin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur. Të dielën? Jo, nuk mund të tregoj tani, pasi që nuk kam qenë në shtëpi dhe nuk e kam parë atë. Le ta shohim si është ai kur të kthehet dhe t’i fillojë stërvitjet me ne”.

Manchester Unitedi do të përballet me Aston Villan të dielën, para se të ritakohet me Jose Mourinho kur Tottenhami ta vizitojë Old Trafford. Pas këtyre ndeshjeve, djemtë e Solskjaer do të përballen me Manchester Cityn në derbin e qytetit që do të zhvillohet në Etihad. 

(Kosova Sot Online)