Emery thyen heshtjen pas shkarkimit me një mesazh prekës për tifozët e Arsenalit

  • 30 November 2019 - 08:54
Emery thyen heshtjen pas shkarkimit me një mesazh prekës për tifozët e Arsenalit

Trajneri i shkarkuar Unai Emery e ka publikuar një letër të hapur falënderimi për tifozët dhe stafin e Arsenalit, pas shkarkimit të tij të premten, duke i inkurajuar tifozët të vazhdojnë t’i mbështesin lojtarët e skuadrës.

Topçinjtë vendosën të premten që, pas 18 muajve nën drejtimin e trajnerit spanjoll Unai Emery, ta ndryshojnë trajnerin. Ata i thanë lamtumirë legjendës Arsene Wenger verën e vitit 2018 dhe tani e kanë shkarkuar pasardhësin e tij.

Emery kishte qenë nën shumë presion në postin e tij gjatë kohës së fundit, pasi që tifozët vlerësonin se ai nuk kishte arritur ta çonte skuadrën e Arsenalit përpara gjatë kohës sa e drejtoi këtë klub.

48-vjeçari Emery ishte emëruar trajner i Arsenalit më 1 korrik të vitit 2018. Gjatë periudhës sa ka qenë në këtë post, ai i ka fituar 43 ndeshje, i ka barazuar 15, ndërsa i ka humbur 20.

“Ka qenë një nder të jem trajner i Arsenalit. Për të gjithë tifozët, dua të ju falënderoj nga thellësia e zemrës që më keni ndihmuar ta kuptoj dhe ta ndiej madhështinë e Arsenalit”, thuhet në letrën e Emerys, të publikuar në faqen zyrtare të Arsenalit.

“Për të gjithë ju që na keni mbështetur nga çdo qoshe e globit, të gjithë ju që keni ardhur në Emirates, të gjithë ju që keni pritur në shi dhe në mot të ftohtë për të më përshëndetur pas ndeshjes… unë dua të ju them se kam punuar me pasion, përkushtim dhe jam përpjekur”.

“S’do të më kishte pëlqyer asgjë më shumë sesa të arrij rezultate më të mira për ju. Unë gjithashtu dua t’i falënderoj të gjithë punëtorët e Arsenalit për mënyrën se si më kanë trajtuar. Madhështia e Arsenalit është në çdo drejtor, ekzekutiv, punëtor, ndihmës dhe vullnetar”.

“Ka qenë një vit e gjysmë me plot emocione, momente të mrekullueshme dhe disa të hidhura, por asnjë ditë nuk ka kaluar pa më shkuar në mendje se sa me fat jam të kem punuar për këtë klub me këta lojtarë dhe cilësitë e tyre personale dhe profesionale”.

“Ata gjithmonë e kanë nderuar fanellën që e kanë veshur. Ata e meritojnë përkrahjen tuaj. Unë veçse kisha shumë përvojë në futboll, por e kam shijuar dhe kam mësuar shumë në Angli, në Premierligës, për respektin për profesionistët dhe për pastërtinë e futbollit. Urimet e mia më të mira gjithmonë, COYG”.

Postin e trajnerit të përkohshëm në Arsenal tani do ta mbajë Freddie Ljunberg, tek i cili klubi tha se ka besim të plotë se do ta çojë ekipin përpara.

Ljunberg ishte pjesë e Arsenalit si futbollist nga 1 shtatori i vitit 1998 deri më 1 korrik të vitit 2007. Pasi i dha fund karrierës së tij si futbollist, ai ishte pjesë e Arsenalit në disa postë të ndryshme si përfaqësues i klubit, trajner i ekipit të të rinjve, trajner i ekipit U-23 dhe ndihmëstrajner. Tani ai do ta ushtrojë detyrën e trajnerit të ekipit të parë përkohësisht.

(Kosova Sot Online )