Lakersat shkatërrojnë Wizards për ta arritur fitoren e dhjetë radhazi

  • 30 November 2019 - 11:50
Lakersat shkatërrojnë Wizards për ta arritur fitoren e dhjetë radhazi

Anthony Davis i regjistroi 26 pikë, 13 kërcime dhe tri bllokime në më pak se tre çerekë lojë, duke i ndihmuar Los Angeles Lakers ta arrijë fitoren e dhjetë radhazi, me rezultat 125:103 kundër Washington Wizards, në ndeshjet e fundit të NBA.

LeBron James, i cili pushoi në çerekun e katërt, e mbylli ndeshjen me 23 pikë dhe 11 asiste për Lakers, që arritën ta fitojnë ndeshjen e 17-të nga gjithsej 18 të zhvilluara. Humbja e tyre e vetme ishte në shtëpi më 10 nëntor, kundër Toronto Raptors.

Quin Cook i shënoi 17 pikë, përderisa JaVale McGee i shtoi 15 e Rajon Rondo kontribuoi me 13 të tjera. Danny Green e mbylli ndeshjen me 11 pikë për Los Angelesin, që ka arritur t’i fitojë nëntë nga dhjetë ndeshjet e zhvilluara deri më tani në shtëpi.

Bradley Beal i Wizards, që hyri në këtë ndeshje si koshashënuesi i katër më i mirë në ligë, i shënoi 18 pikë dhe i regjistroi nëntë asiste. Riu Hachimura kontribuoi me 16 pikë dhe tetë kërcime për Wizards, që i kanë humbur tri nga katër ndeshjet e fundit.

Bucks 119, Cavaliers 110

Giannis Antetokounmpo i shënoi 33 pikë dhe ishte i saktë në katër goditjet e fundit vendimtare që ia dhanë Milwauke fitoren kundër Cleveland, për ta vazhduar ecurinë në dhjetë fitore radhazi.

Mavericks 120, Suns 113

Luka Doncic i shënoi 42 pikë, i bëri 11 asiste dhe 9 kërcime, duke ia dhënë fitoren Dallasit në çerekun e katërt kundër vendasit Phoenix.

Blazers 107, Bulls 103

Në një ndeshje ku asnjëra skuadër nuk ka gjuajtur më saktësisht se 46 për qind, Portland e arriti një fitore kundër Chicago, falë një rekordi historik të Hassan Whiteside. Mbrojtja ishte çelësi i Portlandit në këtë ndeshje, pasi që Whiteside thye rekordin e klubit me 10 bllokimet, tetë pikët dhe 15 kërcimet e tij.

Nets 112, Celtics 107

Spencer Dinwiddie i shënoi 32 pikë dhe 11 asiste, përderisa Brooklyn e mposhti Bostonin. Nets e përmirësuan rekordin e tyre me gjashtë fitore dhe dy humbje pa Kyrie Irvingun, i cili po e vazhdon procesin rikuperues nga një lëndim në shpatullën e djathtë.

Jazz 103, Grizzlies 94

Bojan Bogdanovic i shënoi 26 pikë nga 33 gjithsej të tij gjatë pjesës së dytë dhe e mbylli ndeshjen me tetë kërcime për t’ia dhënë fitoren Utah kundër Memphisit.

Pacers 105, Hawks 104 (OT)

Trepikëshi i T.J. Warren nga qoshi kur kishin mbetur vetëm 1:13 minuta lojë në çerekun shtesë të lojës ia dha Indianas epërsinë përfundimisht, përderisa Pacers i shpëtuan 49 pikëve të shënuara nga Trae Young për Atalantan.

Spurs 107, Clippers 97

LaMarcus Aldridge dhe Derrick White i shënuan nga 17 pikë secili dhe gjashtë lojtarë arritën të shënojnë në numra dyshifrorë, përderisa San Antonio e tronditi Los Angeles Clippersin, duke ia mbyllur ecurinë prej shtatë fitoreve radhazi.

Rezultatet e tjera të së premtes në NBA:

Raptors 90, Magic 83

Heat 122, Warriors 105

76ers 101, Knicks 95

Hornets 110, Pistons 107

Thunder 109, Pelicans 104

(Kosova Sot Online)