Sot shpallet fituesi i Topit të Artë: Kush do të triumfojë, Messi, Ronaldo apo Van Dijk?

  • 02 December 2019 - 10:01
Sot shpallet fituesi i Topit të Artë: Kush do të triumfojë, Messi, Ronaldo apo Van Dijk?

Çmimi për lojtarin më të mirë në botë për vitin 2019, Topi i Artë, do të ndahet sot në mbrëmje në Paris, me Lionel Messin e Barcelonës, Virgil van Dijk të Liverpoolit dhe Cristiano Ronaldon e Juventusit në garë për ta fituar atë.

Lionel Messi është favoriti kryesor për ta fituar Topin e Artë 2019, pas një sezoni të shkëlqyer me Barcelonën. Sipas shkrimeve në mediat botërore në javën e fundit, argjentinasi në fakt është zgjedhur tashmë si fitues i çmimit më prestigjioz individual në futboll.

Por Van Dijk pritet t’i bëjë konkurrencë të fortë argjentinasit sonte në mbrëmje në Paris.

Messi dhe Van Dijk bënë paraqitje të shkëlqyera në fundjavën e fundit para shpalljes së fituesit, duke treguar përse janë në garë të ngushtë për ta fituar çmimin e ndarë nga revista prestigjioze franceze, France Football.

Van Dijk shënoi dy gola me kokë për t’ia siguruar Liverpoolit një fitore tjetër në Premierligë dhe rrjedhimisht ruajtjen e epërsisë prej tetë pikëve në krye të renditjes.

Messi realizoi një gol të vonshëm por fantastik duke u përkujdesur që Barça ta mundë 1:0 Atleticon dhe ta kthehet në krye të Ligës, duke e kaluar Real Madridin.

Është shumë e vështirë të injorohen gjithë ato shkrime në mediat botërore për Messin si favorit i madh për ta fituar këtë çmim për herë të gjashtë rekorde.

Nëse superylli argjentinas fiton, atëherë do ta kalojë Ronaldon, duke u bërë lojtari i vetëm me gjashtë Topa të Artë në histori të futbollit.

Sipas gazetës spanjolle MARCA, dy përfaqësues të France Football – revistës franceze që e ndan këtë çmim – ishin në Barcelonë javën e kaluar për t’ia kumtuar Messit lajmin se ai është fituesi.

Të afërmit e Messit nuk e kanë pohuar por as mohuar këtë lajm, kur janë pyetur nga e përditshme spanjolle.

Përveç se e kanë njoftuar se është fitues i Topit të Artë 2019, përfaqësuesit e revistës franceze e kanë bërë edhe një intervistë me numrin 10 të Barcelonës, si dhe i kanë bërë fotografinë tradicionale me trofeun, e cila do të jetë në ballinën e revistën për edicionin e së martës.

Po ashtu, një fotografi ka qarkulluar nëpër internet nga dita e diele, e cila pretendon se Messi ka marrë më së shumti vota, duke e lënë prapa Van Dijkun.

Ronaldo ka përfunduar i katërti, sipas fotografisë së pa verifikuar.

(Kosova Sot Online )