U akuzua se s’ia zgjati dorën gjyqtarit, videoja e dëshmon të kundërtën

  • 02 December 2019 - 20:43
U akuzua se s’ia zgjati dorën gjyqtarit, videoja e dëshmon të kundërtën

Përkundër pretendimit të disa medieve në Kosovë se ylli i Ballkanit, Blend Baftiu, s’pranoi t’ia zgjasë dorën gjyqtarit Gramos Shala në takimin kundër Vushtrrisë, videot nga ndeshja e dëshmojnë të kundërtën.

Sot, në stadiumin “Ferki Aliu”, Vushtrria e priti liderin e Ipko Superligës së Kosovës, Ballkanit, dhe siguroi fitore me rezultat 1:0, falë golit të shënuar nga Bashkim Shala në minutën e 33-të të ndeshjes.

Ndeshja u mbyll pas 90 minutave lojë, mirëpo debati rreth asaj që kishte ndodhur në fushën e lojës jo. Kjo pasi që tifozët e Ballkanit pretendonin se gjyqtari nuk ua kishte akorduar dy penallti të merituara gjatë ndeshjes.

Megjithatë, njëri ndër gjyqtarët, Gramos Shala, mori vëmendje në media edhe pasi u publikua një video përmes së cilës pretendohej se golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Ipko Superligën e Kosovës, Blend Baftiu, nuk ia zgjati dorën para se të fillonte ndeshja.

Megjithatë, videoja e plotë e dëshmon të kundërtën nga videoja e shkurtuar që ka qarkulluar nëpër media. Në videon e mëposhtme shihet se Baftiu në fakt e përshëndet gjyqtarin, i cili pastaj fillon të flasë me kolegun e tij që e ka përkrah.

Me këtë ndeshje edhe përfundoi edicioni vjeshtor i Ipko Superligës së Kosovës dhe Baftiu mbeti i vetmi që e mbylli këtë edicion me numër dyshifror. Ai i grumbulloi 10 gola, ndërsa pas tij radhitet Gerhard Progni i Gjilanit me tetë gola.


(Kosova Sot Online)