Chiellini akuzon Real Madridin se ia bllokoi Ronaldos triumfin në Topin e Artë

  • 03 December 2019 - 08:29
Chiellini akuzon Real Madridin se ia bllokoi Ronaldos triumfin në Topin e Artë

Real Madridi ia mohoi Cristiano Ronaldos fitoren e Topit të Artë për herë të gjashtë në karrierë vitin e kaluar pasi që ai nuk ishte më pjesë e klubit të La Ligës, sipas mbrojtësit të Juventusit, Giorgio Chiellinit.

Cristiano Ronaldo, i cili u transferua nga Juventusi në Real Madrid gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2018, mbeti i dyti në garën e sezonit të kaluar për Topin e Artë, duke mbetur prapa ish-bashkëlojtarit të tij në Real Madrid, Luka Modricit.

Topi i Artë i këtij viti u fitua nga Lionel Messi – i cili e ngriti trofeun për herë të gjashtë në karrierë, duke e lënë prapa Ronaldon me pesë. Portugezi vendosi të mos shkojë në ceremoninë e mbajtur të hënën në Paris, por shkoi ta marrë çmimin për lojtarit më të mirë të vitit në Serie A në çmimet Gran Gala.

Duke folur pas kësaj ceremonie të mbajtur në Milano, Chiellini e akuzoi ish-klubin e portugezit se ia kishte pamundësuar Ronaldos fitoren e Topit të Artë vetëm pasi që madrilenët kishin dashur që një lojtar i tyre ta fitonte çmimin.

Megjithatë, qendërmbrojtësi veteran i Juventusit beson se Messi është një fitues e merituar këtë herë.

“Është në rregull që Messi e ka fituar Topin e Artë këtë vit. Vjedhja e vërtetë ndodhi vitin e kaluar, Real Madridi vendosi se Cristiano nuk duhet ta fitojë Topin e Artë. Ishte e çuditshme”, ka thënë Chiellini.

“Cristiano e fitoi titullin e Ligës së Kampionëve, por supozoj se, me këtë logjikë, edhe Van Dijku duhet ta kishte fituar çmimin këtë vit”.

“Ndoshta, vitin e kaluar, Griezmanni, Pogba ose Mbappe duhet ta kishin fituar për shkak se bënë gjëra të jashtëzakonshme në Kupën e Botës. Zgjedhja e Modricit s’kishte fare kuptim”.

Modrici e fitoi Ligën e Kampionëve në sezonin 2017/18 në Real Madrid bashkë me Ronaldon dhe e fitoi Topin e Artë në Kupën e Botës 2018, pasi e ndihmoi Kroacinë të arrijë deri në finale. 

(KOsova Sot Online )