Presidenti i Barcelonës: Topi i Artë shkon edhe një herë te më i miri në histori

  • 03 December 2019 - 11:00
Presidenti i Barcelonës: Topi i Artë shkon edhe një herë te më i miri në histori

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka përgëzuar kapitenin e klubit të tij, Lionel Messin, për triumfin në garën për Topin e Artë, duke thënë se ky çmim është kthyer te futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.

Lionel Messi e mposhti mbrojtësin e Liverpoolit Virgil Van Dijkun dhe sulmuesin e Juventusit Cristiano Ronaldon në garën për Topin e Artë, duke u bërë lojtari i parë që arrin t’i fitojë gjashtë Topa të Artë në ceremoninë e ndarjen së çmimeve të hënën në Paris.

Kjo arritje e gëzoi presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, i cili e shfrytëzoi këtë rast për të shkruar në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

“Topi i Artë ka shkuar edhe një herë te futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve. Futbolli dhe Barcelona e festojnë një tjetër arritje të madhe. Urime Leo!”, shkroi Bartomeu në llogarinë e tij në Twitter.

I kënaqur me arritjen e vet ishte edhe Messi, i cili gjatë fjalimit të tij e përmendi edhe mundësinë e pensionimit.

“Së pari dua t’i falënderoj të gjithë gazetarët që votuan për mua. Natyrisht edhe bashkëlojtarët e mi, si në klub, ashtu edhe në ekipin kombëtar, që e kanë bërë këtë vit të mrekullueshëm, qoftë në disfatë apo fitore”, u shpreh 32-vjeçari.

“Unë e mbaj mend Topin tim të parë të Artë në Paris, kur mbërrita këtu me tre vëllezërit e mi. Isha 22-vjeçar dhe kjo ishte e pabesueshme për mua”.

“Tani, dhjetë vjet më vonë, unë e fitova Topin e Artë për herë të gjashtë, në një moment plotësisht të ndryshëm. Ky është një moment shumë i veçantë në jetën time personale, me bashkëshorten dhe tre fëmijët e mi. Unë jam me fat që ata janë këtu me vëllain tim dhe njërin nga nipat e mi”.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, unë kurrë s’kam pushuar së ëndërruari, kurrë s’kam pushuar së rrituri dhe le të shpresojmë se unë mund të vazhdoj ta shijoj atë që e kam dashur që kur isha 1 apo 2-vjeçar”.

“Jam i vetëdijshëm se sa i vjetër jam dhe po i shijoj këto momente kaq shumë sepse e di se momenti i pensionimit tim është duke ardhur”.

“Është e vështirë, e di se më kanë mbetur edhe pak vite. Koha fluturon dhe gjithçka shkon shumë shpejt. Unë shpresoj të vazhdoj ta shijoj futbollin, familjen time dhe gjithçka tjetër në jetën time”.

(Kosova Sot Online)