Legjenda e Arsenalit: Xhaka s’vrapon, por Mustafi është edhe më i keq

  • 03 December 2019 - 12:07
Legjenda e Arsenalit: Xhaka s’vrapon, por Mustafi është edhe më i keq

Arsenali mbetet një rrëmujë e madhe sipas legjendës së klubit Charlie Nicholas, i cili i ka kritikuar ashpër Shkodran Mustafin dhe Granit Xhakën, përderisa ka shtuar se Freddie Ljunberg nuk është kandidat i përshtatshëm për të qenë pasardhës i Unai Emeryt.

Suedezi Freddie Ljunberg e mori postin e trajnerit të Topçinjve përkohësisht, pasi Unai Emery u lirua nga detyra e tij te klubi londinez.

Vendimi i Ljunberg për të luajtur me Xhakën, Mustafin, Sokratis Papastathopoulos dhe David Luizin si titullarë në ndeshjen e tij të parë në këtë pozitë e irritoi Charlie Nicholasin, duke e pasur parasysh edhe se ndeshja përfundoi me barazim 2:2 në Norwich.

“Skuadra ishte pak më agresive, por Freddie, pse po e zgjedh Shkodran Mustafin”, tha ish-sulmuesi i Arsenalit në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Kur do të mësosh për Calum Chambers? Unë gjithashtu s’mund ta kuptoj pse David Luizi është në skuadër. Ai thjesht nuk dëshiron të vrapojë. Ai është i interesuar vetëm kur e ka topin në këmbë”.

“Sokratis Papastathopoulos është tronditës dhe Mustafi është edhe më i keq. Granit Xhaka gjithashtu s’mund të vrapojë”.

“Është një rrëmujë e madhe. Unë sinqerisht mendova se Freddie nuk do të ishte afër ta marrë punën e trajnerit, mirëpo, tani, nuk e di se sa gjatë do të jetë ai në drejtim”.

(Kosova Sot Online)