Klopp i komenton spekulimet për transferimin e Sanchos në Liverpool

  • 04 December 2019 - 09:52
Klopp i komenton spekulimet për transferimin e Sanchos në Liverpool

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka tentuar t’i heshtë spekulimet që e lidhin klubin e tij me yllin e Borussia Dortmundit, Jadon Sanchon, përderisa e pranoi se Liverpoolit mund të jetë gati të shpenzojë para gjatë afatit kalimtar të janarit.

Në fillim të kësaj jave, mediat botërore raportuan se Jadon Sancho dëshiron të largohet nga Dortmundi në janar dhe Liverpooli u emërua si klubi favorit për t’i siguruar shërbimet e tij.

Pasi u bë i famshëm gjatë sezonit 2018/19, Sancho ka qenë në formë të mirë edhe këtë sezon, mirëpo ka pasur probleme me trajnerin Lucien Favre dhe mbeti në stol për përballjes e javës së kaluar me Barcelonën në Ligën e Kampionëve për arsye disiplinore.

Kloppi ka marrëdhënie të mira me drejtuesit e Dortmundit, ku e kishte kryer detyrën e trajnerit nga viti 2008 deri në vitin 2015, mirëpo ai tha se nuk është i vetëdijshëm për ndonjë tentim për ta transferuar yllin e ri anglez.

“Ai është lojtar shumë i mirë. Nuk kam parë asnjë shenjë se prej nga ku mund të kenë ardhur këto spekulime, por nuk mund të jetë nga ne sepse ne s’kemi folur kurrë për këtë gjë”, ka thënë Kloppi, para derbit të qytetit kundër Evertonit, të mërkurën.

“Nëse ne do të ishim të përfshirë, askush nuk do të dinte asgjë për këtë përveç një personi që s’do të fliste kurrë për këtë. Nuk kam asgjë për të thënë. E di se si tingëllon, por nuk mund ta ndryshoj këtë. Nuk kam për çfarë të flas, që do të thotë se s’kam çfarë të them”

Megjithatë, Kloppi e pranoi se Liverpooli mund të jetë i gatshëm të shpenzojë para gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Ne nuk flasim për këtë, por jemi pothuajse gjithmonë gati të bëjmë diçka nëse e shohim se do të na ndihmonte. Do ta shohim, mendoj se afati kalimtar i verës është më i vështirë për shkak të momenteve të ndryshme kur mbyllet në Evropë”, përfundoi Kloppi.

(Kosova Sot Online )