Salah, Mane dhe Aubameyang në garë për çmimin Lojtari Afrikan i Vitit

  • 04 December 2019 - 14:41
Salah, Mane dhe Aubameyang në garë për çmimin Lojtari Afrikan i Vitit

Mohamed Salah synon të zgjedhjet për herë të tretë radhazi Lojtari i Vitit nga Afrika, pasi është emëruar në listën e ngushtë prej dhjetë kandidatëve për këtë çmim për vitin 2019.

Ylli i Liverpoolit e fitoi për herë të dytë radhazi këtë çmim vitin e kaluar, pasi i shënoi 44 gola për Liverpoolin dhe Egjiptit gjatë vitit 2018 dhe e mbylli sezonin 2017/18 të Premierligës si golashënuesi më i mirë, me 32 gola.

Nëse ylli i Egjiptit e fiton këtë çmim sërish, ai do të jetë vetëm i treti në histori që arrin ta fitojë çmimin për Lojtarin më të Mirë të Vitit të një kontinenti tri herë në karrierë, duke iu bashkuar ish-yllit të Milanit, George Weah, dhe ish-yllit të Marseille, Abedi Pele. Vetëm Yaya Toure dhe Samuel Eto’o e kanë fituar nga katër herë. 

Edhe këtë vit, Salahu do të duhet t’i mposht dy konkurrentët e dy sezoneve të fundit – bashkëlojtarin e tij në Liverpool, Sadio Manen, dhe yllin e Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyangun.

Senegalezi Mane kishte qenë golashënuesi i përbashkët më i miri në Premierligë sezonin e kaluar, me 22 gola të shënuara, po aq sa Salahu. Ndërsa, Aubameyangu ka shkëlqyer për Arsenalin dhe synon ta fitojë këtë çmim sërish, pasi e kishte fituar në vitin 2015.

Edhe sulmuesi i Manchester Cityt dhe Algjerisë, Riyad Mahrez, i cili e fitoi çmimin në vitin 2016, është i përfshirë në këtë listë, të publikuar nga Konfederata Afrikane e Futbollit.

Lista kompletohet nga dyshja e Ajaxit, Andre Onana dhe Hakim Ziyech, Ismail Bennacer i Milanit, Kalidou Koulibaly i Napolit, Odion Ighalo i Shanghai Shenhua dhe Youcef Belaili i Ahli Jeddah.

(Kosova Sot Online)