“Rashica do të bëhet edhe më i mirë” – Drejtori sportiv i Bremenit paralajmëron rivalët

  • 04 December 2019 - 15:19
“Rashica do të bëhet edhe më i mirë” – Drejtori sportiv i Bremenit paralajmëron rivalët

Ylli kosovar i Werder Bremenit, 23-vjeçari Milot Rashica, është në formë mbresëlënëse. Ai i ka shënuar shtatë gola dhe ka kontribuar me dy asiste në nëntë ndeshjet e fundit me klubin gjerman. Por, drejtori sportiv i klubi gjerman, Frank Baumann, beson se kosovari mund të bëhet edhe më i mirë.

Milot Rashica, që i ka bërë 25 paraqitje për Kombëtaren e Kosovës, i ka regjistruar 16 gola dhe tetë asiste në 44 paraqitjet e tij në Bundesligë, që kur është transferuar në Bremen nga klubi holandez Vitesse Arnhem në janar të vitit 2018.

Forma e Rashicës vetëm sa është përmirësuar me kalimin e kohës, pasi që kosovari fillimisht ishte dashur ta dëshmojë veten për ta fituar vendin e titullar. Megjithatë, drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann, beson se Rashica vetëm sa mund të përmirësohet.

“Miloti ka edhe më shumë potencial dhe ai nuk i ka shkuar ende deri në fund zhvillimit të tij. Ai do të bëhet vetëm edhe më i mirë, pasi që është gati të mësojë dhe të investojë shumë”, ka thënë Baumann.

Për klubin gjerman, Rashica është ndër transferimet më të mira gjatë viteve të fundit. Baumanni ka sqaruar se si kishin arritur t’i siguronin shërbimet e Rashicës, duke e transferuar atë nga Vittese Arnheim.

“Kishte edhe të tjerë të interesuar nga Gjermania dhe Italia. Por, neve na ndihmoi fakti që kishim emër në Bundesligë. Ne fituam shumë pikë në këtë garë shkaku i ambientit tonë”, shtoi Baumann.

“Unë bisedova me [agjentin e Rashicës, Altin] Lalën. Ai e njeh mirë Bremenin nga karriera e tij si futbollist dhe ka mendim shumë të mirë për ne. Ai u kushtoi rëndësi të veçantë Milotit në këtë rast”.

Në fund, Bremeni e fitoi garën për Rashicën dhe ia paguan 7.5 milionë euro për të Vittese Arnheimit. Këto para tani janë shpaguar dhe klubi gjerman beson se do të mundë t’i fitojë deri në 50 milionë euro nga shitja e tij në të ardhmen.

(Kosova Sot Online)