Legjenda e Man Unitedit lutet që Liverpooli të dështojë në Premierligë

  • 04 December 2019 - 15:23
Legjenda e Man Unitedit lutet që Liverpooli të dështojë në Premierligë

Ish-mbrojtësi anësor legjendar i Manchester Unitedit, Gary Neville, thotë se viti i tij do të bëhet më i miri në një kohë të gjatë nëse Liverpooli dështon në garën për titullin e Premierligës, përkundër që për momentin e mban një epërsi mbresëlënëse.

Si legjendë në Old Trafford, Gary Neville e njeh mirë rivalitetin mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit. Gjatë kohës së tij, ai kishte shijuar suksese të shumta, ndërsa tani “Djajtë e kuq” kanë ngecur në një krizë, përderisa Liverpooli po shijon rezultate të mira.

Liverpooli është në rrugë të drejtë për ta fituar titullin e parë të Premierligës në histori. Por, përkundër epërsisë prej tetë pikësh pas 13 xhirove të para të sezonit, ish-mbrojtësi ngalëza shpreson se djemtë e Jurgen Kloppit të dështojnë në ndeshjet e radhës.

“Nëse ata e shpërdorojnë këtë tani, do të jetë ndër vitet e mia më të mira që i kam pasur në Sky!”, ka thënë Neville, i cili tani është bërë i famshëm edhe si analist në televizionin sportiv në Britani të Madhe, Sky Sports.

“Sinqerisht, do të ishte një përvojë e mrekullueshme ta shihja këtë gjë duke ndodhur – t’i shoh ata me sytë e mi teksa e humbasin epërsinë prej 12 pikësh në krye të tabelës së Premierligës.

“Në fakt shpresoj se ata do të jenë në epërsi për 12 pikë në mars dhe pastaj ta humbin garat shumë vonë”.

“Por , duhet të them se ata kanë dëshmuar formë të mirë gjatë dy vjetëve të fundit, kanë qenë duke luajtur futboll si fitues të titullit për dy vjet tani dhe kam grumbulluar numër aq të madh të pikëve, që në cilindo sezon tjetër do të kishin qenë kampionë”.

“Ndërsa, Manchester City është shumë më poshtë sesa aty ku duhet të jetë. Liverpooli do të duhet të punojë shumë për ta fituar titullin tani që i kanë shkuar kaq afër. Ata duhet të mendojnë që është viti i tyre”.

(Kosova Sot Online)