Bale vazhdon të stërvitet ndaras skuadrës së Real Madridit

  • 04 December 2019 - 15:46
Bale vazhdon të stërvitet ndaras skuadrës së Real Madridit

Sulmuesi anësor uellsian Gareth Bale ka vazhduar të punoj ndaras bashkëlojtarëve të tij në Real Madrid, edhe në seancën stërvitore të së mërkurës.

Tri ditë para ndeshjes së Real Madridit kundër Espanyolit, Zinedine Zidane e drejtoi skuadrën e tij në një tjetër seancë stërvitore, ku sërish uellsiani Gareth Bale ushtroi i vetëm në qendrën Valdebebas.

Bale është në dyshim për ndeshjen e fundjavës kundër Espanyolit, në kuadër të La Ligës, përderisa Marco Asensio, James Rodriguez, Eden Hazardi dhe Lucas Vazquez janë duke e vazhduar procesin e tyre rikuperues.

Zinedine Zidane, i cili është duke e kompletuar skuadrën e tij me lojtarë të marrë nga akademia e klubit, i testoi futbollistët e tij përmes disa ushtrimeve të presionit, punës taktike dhe me ndeshje futbolli të zhvilluara në fushë të përgjysmuar.

Së fundi, Bale, e dha një intervistë për televizionin britanik BT Sport, ku ka folur për fishkëllimat nga tifozët e Real Madridit, duke thënë se me kalimin e kohës është mësuar të ballafaqohet me ato fishkëllima.

“Mendoja se herën e parë që më ndodhi [kur u fishkëlleva nga tifozët], isha paksa i tronditur. Me të vërtetë nuk dija se si të ballafaqohesha me atë që po ndodhte”, tha Bale.

“Por, me kalimin e kohës, më ka ndodhur edhe një apo dy herë të tjera dhe ti mësohesh t’i përballosh. Tani, unë vetëm e injoroj. Në njëfarë mënyrë, me respekt, është vendi më i mirë për t’u fishkëllyer nëse nuk luan ashtu siç duhet. Unë e kuptoj këtë”.

“Natyrisht, unë duhet vetëm të vazhdoj të punoj sa më shumë që të mundem dhe t’ia dëshmoj veten tifozëve. Me kalimin e kohës fishkëllimat ndalen dhe t’i mund ta vazhdosh karrierën në mënyrë normale”. 

(Kosova Sot Online)