Mourinho e kritikon ashpër Man Unitedin pas humbjes së Tottenhamit

  • 05 December 2019 - 09:02
Mourinho e kritikon ashpër Man Unitedin pas humbjes së Tottenhamit

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, e ka kritikuar Manchester Unitedin duke thënë se lojtarët e tij mashtruan për të fituar faulle duke u shtiren si të lënduar në fitoren e tyre 2:1 të mërkurën në Premierligën.

Mourinho u përball me humbjen e parë si trajner i Tottenhamit mbrëmë në Old Trafford, në kurriz të dy golave të Marcus Rashford.

Unitedi kaloi në epërsi herët në ndeshje, por Dele Alli e barazoi rezultatin rreth pesë minuta para pushimit mes pjesëve.

Por një lojë vendimtare e sulmuesit anglez, i cili e fitoi një penallti nga e cila e realizoi golin e fitores, bëri që Mourinho ta regjistrojë disfatën e parë në ndeshjen e katërt të Spurs në të gjitha garat pas emërimit trajner muajin e kaluar.

Derisa Mourinho e pranoi pas ndeshjes se skuadra e tij e nisi takimin ngathtë dhe kjo i kushtoi, ai nuk mundi pa e thumbuar ish-skuadrën duke i akuzuar lojtarët e saj për faulle të lehtë.

“Ne e nisem keq, ata e nisen mirë. Ata e shënuan golin e parë, kanë mundur ta shënonin edhe të dytin dhe në 30 minutat e parë ishin jo thjesht më të mirë se ne, por shumë më të mirë se ne. Por gjërat ndryshuan në 15 minutat e fundit (të pjesës së dytë)”, tha Mourinho.

“Ata u kthyen mbrapa për disa hapa, u treguan të mençur në mënyrën sesi i fitonin faullet duke i shtirur si të lënduar, por ishin të rrezikshëm në kundërsulme, prapëseprapë”, shtoi ai.

“Por për shkak se ishin shumë më të mirë se ne në 30 minutat e parë, ata e merituan fitoren”, përfundoi Mou.

(Kosova Sot Online )