“Cristiano ka mbaruar? Mos më bëni të qesh!”

  • 05 December 2019 - 10:24
“Cristiano ka mbaruar? Mos më bëni të qesh!”

Cristiano Ronaldo është duke u rikthyer më i fuqishëm së kurrë më parë, sipas drejtorit sportiv të Juventusit, Fabio Paratici, i cili hodhi poshtë sugjerimet se sulmuesi veteran ka mbaruar pasi humbi përsëri në garë për Topin e Artë.

Ronaldo nuk mori pjesë në ceremoninë e Topit të Artë të hënën në Paris, ku Lionel Messi e fitoi këtë çmim për herë të gjashtë rekorde, por zgjodhi të jetë në Gran Gala del Calcio në Milano, ku mori çmimin për arritjet e tij me Juventusin sezonin e kaluar në Serie A.

Ronaldo e fitoi çmimin lojtari më i mirë në Serie A, pasi i ndihmoi Juventusit ta fitojë titullin për herë të tetë radhazi duke i shënuar 21 gola në ligë sezonin e kaluar.

Paratici u pyet nëse forma e Ronaldos këtë sezon është shenjë se 34-vjeçari ka nisur të pësojë rënie, pasi e ka shënuar vetëm një gol në pesë ndeshjet e fundit për bardhezinjtë.

Shefi i Juves i hodhi poshtë këto sugjerime duke thënë: “Cristiano ka mbaruar? Mos më bëni të qesh!”

“Ronaldo ka pasur një problem me gjurin, i cili ia ka pamundësuar të luajë në nivelin më të mirë të tij, por tani ai është duke u rikthyer më i fuqishëm së kurrë më parë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)