Shaqiri, pas kthimit të tij në formacionin e Liverpoolit: Luaj mirë kur ndihem mirë

  • 06 December 2019 - 08:36
Shaqiri, pas kthimit të tij në formacionin e Liverpoolit: Luaj mirë kur ndihem mirë

Sulmuesi anësor i Liverpoolit me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri, ka thënë se ai luan mirë në fushën e lojës kur ndihet mirë, duke shtuar se ai dëshironte ta mbajë qytetin të kuq me derbin mes Liverpoolit dhe Evertonit.

Xherdan Shaqiri shënoi gol në rikthimin e tij titullar për herë të parë këtë sezon për Liverpoolin, në fitoren e të kuqve 5:2 kundër Evertonit në derbin e Merseyside.

Liverpooli e vazhdoi ecurinë e përkryer pa humbje në Premierligë, duke e regjistruar fitoren e 14-të nga 15 ndeshje deri tani, falë dy golave nga Divock Origi, një nga Sadio Mane, një nga Xherdan Shaqiri dhe një nga Georgino Wijnaldum, të mërkurën në Anfield.

Anësorit shqiptar nga Gjilani, Shaqirit iu dha një mundësi e rrallë nga Jurgen Klopp këtë sezon dhe ai u përkujdes për ta shfrytëzuar atë në maksimum, duke shënuar një herë gjatë 90 minutave të plotë.

Ai e kënaqi tribunën në Anfield edhe me disa prekje të mira në këtë ndeshje, për të cilat Shaqiri thotë se janë instinktive.

“Ju më njihni mua. Kështu luaj unë, nuk është asgjë e re! Unë jam një futbollist instiktiv, kështu që luaj mirë futboll kur ndihem mirë. Unë u ndjeva mirë, kështu që i provova disa gjëra dhe më shkoi mirë”, tha Shaqiri.

Liverpooli tani mbetet me tetë pikë epërsi në kreun e tabelës së Premierligës, pasi i ka fituar 14 nga 15 ndeshjet e këtij sezoni në ligë. Skuadra e Kloppit gjithashtu e mban primatin në qytetin e Liverpoolit, pasi që nuk ka pësuar humbje në derbin me Evertonin që 18 ndeshje.

“Ne deshëm ta mbajmë qytetin të kuq. E bëmë këtë, kështu që ishte shumë e rëndësishme”, shtoi Shaqiri. 

(Kosova Sot Online )