Solskjaer e konfirmon, Smalling do të kthehet në Man United nga Roma

  • 06 December 2019 - 15:55
Solskjaer e konfirmon, Smalling do të kthehet në Man United nga Roma

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e ka konfirmuar se qendërmbrojtësi Chris Smalling do të kthehet në Manchester United në fund të këtij sezoni, përderisa anglezi po vazhdon të jetë mbresëlënës me Romën.

Chris Smalling iu bashkua Romës në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të verës dhe verdhekuqtë e kanë bërë të qartë se ata duan ta bëjnë permanent këtë transferim sa më shpejt që të jetë e mundur.

Megjithatë, Solskjaer e ka bërë të ditur se qendërmbrojtësi anglez 30-vjeçar do të kthehet në “Old Trafford” me Djajtë e Kuq sapo të përfundojë ky sezon.

“Por, ai do të kthehet. Chrisi ka qenë fantastik, por ne e dimë se nëse e ndryshon ambientin, forma mund të ndryshojë. Por, Chris është tipi i lojtarit që i shijon sfidat e tilla”, u shpreh Solskjaer, kur u pyet për anglezin.

“Ai është i kulturuar, i pëlqen jeta atje. Është një përvojë e re për të dhe ai është një djalosh që s’mund të qëndronte këtu pa qenë i rregullt dhe jam shumë i lumtur për të. Ne po e shohim çfarë lojtari është ai”.

Norvegjezi gjithashtu e konfirmoi se ai ka qenë në kontakt me Smallingun dhe Romelu Lukakun gjatë orëve të fundit, pas skandalit të ballinës raciste nga gazeta e madhe italiane Corriere della Sera.

“Së pari, kur e shikon atë ballinë ti mendon: “uau, a është e mundur, me të vërtetë?” Është ballina më e keqe që e kam parë ndonjëherë dhe unë kam qenë në kontakt me Chrisin vetëm sa për t’ia bërë të ditur që e mbështesim, e njëjta edhe me Romelu Lukakun”, shtoi Solskjaer.

“Unë nuk punoj në gazetari, mirëpo uau. Është e pabesueshme dhe të paktën nuk shohim gjëra të atilla këtu sepse këto gjëra duhet të ndalohen”. 

(Kosova Sot Online)