Infantino i shqetësuar me situatën, pret thirrjen e FFK-së për ndërhyrje

  • 07 December 2019 - 14:01
Infantino i shqetësuar me situatën, pret thirrjen e FFK-së për ndërhyrje

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe nënkryetari Bakir Burri gjatë qëndrimit në Varshavë janë takuar me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Temë kryesore e këtij takimi ishte gjendja e krijuar në futbollin kosovar, temë e cila u përfol nga të gjithë gjatë qëndrimit atje, pasi ishte e pakuptueshme pse po ndodhë kjo në Kosovë kur është e ditur në të gjitha federatat dhe sidomos në UEFA e FIFA që Kosova ka ngritje dhe rezultate të mira, për çka është cilësuar si storie e suksesit.

FFK njofton se Presidenti Infantino shprehu shqetësimin për gjendjen e krijuar së fundmi në futbollin e Kosovës, duke e pasur parasysh se ai e ka të dukshme simpatinë për punën e presidentit Ademit dhe FFK-së.

Infantino vazhdimisht ka thënë se te kosovarët e gëzon një respekt të madh dhe merr falënderime sa herë që i takon ata.

Ai e shpreh gjithherë që Kosovën e ka pjesë të ndjeshme, ngase në Kongresin e parë si president i FIFA-s e ka pranuar Kosovën dhe rruga e jonë e përbashkët ka nisur aty. Presidenti Infantino po e ndjek me kujdes gjendjen në futbollin e Kosovës dhe shprehu keqardhje për ato që po ndodhin, por duke shprehur shpresën se këto atakime të paarsyeshme dhe të pa drejta ndaj FFK-së do të ndërpriten.

Organet e FIFA-s nuk do të lejojnë që grupe të tilla të provojnë ta dëmtojnë futbollin dhe inkurajojnë delegatët e Kuvendit të FFK-së që të mos ndihen të dëmtuar apo të shantazhuar nga njerëzit me ndikim, derisa e shohin pozitive faktin që institucionet përkatëse kanë dalë në mbështetje të drejtuesve të FFK-së dhe presidentit Ademi për zgjedhjen e tij në mënyrën më të drejtë me mandat 4-vjeçar, gjë për të cilën presidenti i FIFA-s qysh në fillim e ka pasur të qartë dhe e ka vlerësuar si të rregullt dhe të drejtë.

Presidenti Infantino inkurajoj presidentin Ademi dhe stafin e tij që ta vazhdojnë punën dhe të mos merren me pengesa të tilla, derisa bëri thirrje të gjithëve në Kosovë që ta ruajnë këtë ekip që kanë, i cili po e prezanton vendin në mënyrën më të mirë.

Infantino shprehu gatishmërinë e tij që të vijë për vizitë në Kosovë atëherë kur e parashohin presidenti Ademi dhe KE i FFK-së, derisa shprehu mbështetjen e fuqishme dhe të parezervë ndaj FFK-së, duke sugjeruar që të vazhdohet me realizimin e projekteve të infrastrukturës.

(Kosova Sot Online)