Gjithçka gati për derbin e Mançesterit

  • 07 December 2019 - 17:38
Gjithçka gati për derbin e Mançesterit

Fitorja e mesjavës kundër Tottenhamit ia ka shtuar Manchester Unitedit besimin se mund ta mposhtë edhe rivalin e qytetit, Manchester City, në ndeshjen e sotshme.

Manchester City do ta presë rivalin e qytetit Manchester Unitedin sot në orën 18:30 në stadiumin Etihad, për ndeshjen e vlefshme për xhiron e 16-të e Premierligës.

Të martën, Manchester City i Pep Guardiolës u kthye në formë të mirë me fitoren me rezultat 4:1 kundër Burnleyt. Gabriel Jesus me dy gola, Rodri dhe Riyad Mahrez ishin golashënuesit për kampionin në fuqi të Anglisë në atë ndeshje në Turf Moor.

Në Old Trafford, të mërkurën Marcus Rashfordi i shënoi dy golat që iu nevojitën Manchester Unitedit për ta mposhtur Tottenhamin e Jose Mourinhos. Fitorja me rezultat 2:1 e ka larguar paksa presionin mbi trajnerin Ole Gunnar Solskjaer.

Para derbit të sotshëm, Manchester City radhitet i treti në tabelën e Premierligës, tri pikë prapa Leicesterit në vend të dyte dhe 11 pikë prapa liderit Liverpoolit. Manchester Unitedi është në pozitën e gjashtë.


(Kosova Sot Online)