Liverpooli i pandalshëm drejt titullit, edhe Tottenhami u kthehet fitoreve

  • 07 December 2019 - 17:58
Liverpooli i pandalshëm drejt titullit, edhe Tottenhami u kthehet fitoreve

Xhiroja e 16-të e Premierligës solli rezultate të mira për tifozët e Liverpoolit, që arriti ta sigurojë fitoren e 15-të këtë sezon për ta përforcuar pozitën e liderit, dhe për tifozët e Tottenhamit, që iu kthye fitoreve pas humbjes së mesjavës kundër Manchester Unitedit.

Bournemouth 0:3 Liverpool

Liverpooli e dëshmoi edhe një herë pse është lider i tabelës së Premierligës me paraqitjen dhe fitoren me rezultat bindës kundër Bournemouthit, edhe pse ishte skuadra mysafire.

Liverpooli siguroi fitore me rezultat 3:0 në këtë ndeshje kundër Bournemouthit, që u zhvillua në stadiumin Vitality. Skuadra e Jurgen Kloppit e dominoi plotësisht ndeshjen – si me posedim të topit, ashtu edhe me numër të rasteve të krijuara për të shënuar gola.

Ky dominim u pasqyrua edhe në rezultatin e ndeshjes, pasi që Liverpooli e mbajti portën e vet të paprekur, ndërsa ia shënoi Bournemouthit tri gola.

Alex Oxlade-Chamberlain e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes në minutën e 35-të të ndeshjes, ndërsa rezultatin e dyfishoi Naby Keita në minutën e 44-të të ndeshjes. Për ta vulosur këtë fitore, Mohamed Salahu e shënoi golin e tretë, në minutën e 54-të.

Liverpooli radhitet edhe më tutje në pozitën e parë në tabelën e Premierligës, me 46 pikë të grumbulluara nga 16 ndeshjet e para, nëntë pikë më shumë sesa Leicesteri në vend të dytë, që ende s’e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj xhiroje.

Tottenham 5:0 Burnley

Fitore me rezultat siguroi edhe Tottenhami i Jose Mourinhos kundër Burnleyt sot, pas disfatës në mesjavë kundër Manchester Unitedit.

Burnley e mbajti posedimin e topit më shumë gjatë 90 minutave të kësaj ndeshjeje të zhvilluar në stadiumin e Tottenhamit, mirëpo vendasit arritën të jenë shumë më të saktë para portës, duke shënuar pesë herë.

Harry Kane me dy gola, Lucas Moura, Heung-Min Son dhe Moussa Sissoko ishin golashënuesit e kësaj ndeshjeje për skuadrën e Mourinhos, që aktualisht radhitet në pozitën e pestë, me 23 pikë të grumbulluara nga 16 xhirot e para.

(Kosova Sot Online)