Përkundër pezullimit, Rusia do të garojë në EURO 2020

  • 10 December 2019 - 09:09
Përkundër pezullimit, Rusia do të garojë në EURO 2020

Rusia është pezulluar për katër vjet nga të gjitha ngjarjet e mëdha sportive nga Agjencia Botërore Anti-Doping. Kjo nënkupton se flamuri dhe himni rus nuk do të lejohen në ngjarjet e mëdha si Lojërat Olimpike Verore “Tokyo 2020” dhe Kupa e Botës në futboll “Katar 2022”, mirëpo Rusia do të garojë në EURO 2020.

Komiteti Ekzekutiv i WADA-s e mori vendimin për ta pezulluar Rusinë të hënën, pasi zbuloi se Moska kishte manipuluar me të dhënat laboratorike të testeve të dopingut. Megjithatë, atletët rusë të cilët mund të dëshmojnë se nuk janë të përfshirë në skandalin e dopingut, do të lejohen të garojnë nën një flamur neutral.

Vendimi i komitetit për ta pezulluar Rusinë ka qenë unanim në takimin e së hënës në Zvicër, sipas një zyrtari të WADA-s.  Agjencia Anti-Doping zbuloi se Rusia kishte montua dëshmi të rreme dhe i kishte fshirë dosjet me testet pozitive të dopingut, të cilat kanë mundur të ndihmonin në identifikimin e atletëve mashtrues që kanë përdorur doping.

Pse do të lejohet Rusia në EURO 2020?

Përkundër këtij pezullimi, Rusia do të garojë edhe në Kampionatin Evropian 2020 dhe në Kampionatin Evropian të Vajzave 2021.

Që të dyja turnetë janë të organizuara nga UEFA, që nuk definohet si organizatë e garave të mëdha, të paktën jo sa i përket shkeljeve për doping.

Rusia u kualifikua për EURO 2020 duke e marrë vendin e dytë në Grupin kualifikues I, ndërsa në turne në do të garojnë në Grupin B, përkrah Belgjikën, Danimarkës dhe Finlandës.

Ekipi i vajzave i Rusisë ishte kualifikuar edhe në Kampionatin e fundit Evropian, në vitin 2017, mirëpo ishte eliminuar qysh në fazën e grupeve, ku po garonte me Gjermaninë, Suedinë dhe Italisë.

Historiku i Rusisë me shkeljen e rregullave për doping

Rusia, e cila është përpjekur për ta shfaqur veten si fuqi globale në sporte, është përfshirë në skandale të dopingut që nga viti 2015. Në katër vjetët e fundit, Agjencia Ant-Doping ka gjetur prova se atletët rusë kanë përdorur dopingun në masë të madhe.

Në përgjithësi, 168 atletë rusë garuan nën një flamur neutral në Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang, pasi Rusia ishte pezulluar në Lojërat e 2014-es në Sochi.

Rusia është pezulluar nga garimi si komb në lojëra që prej vitit 2015. 

(Kosova Sot Online)