Neymari dhe PSG-ja arrijnë marrëveshje për të ardhmen

  • 10 December 2019 - 11:27
Neymari dhe PSG-ja arrijnë marrëveshje për të ardhmen

Paris Saint-Germaini dhe Neymari do të jenë së bashku deri në fund të sezonit 2019/20, por do të dëgjojnë oferta për transferimin e brazilianit në ndonjë klub tjetër sapo të përfundojë ky sezon.

Largimi i Neymarit nga Paris Saint-Germainit nuk u kompletua gjatë afatit kalimtar të verës sepse klubi francez i konsideroi të pamjaftueshme ofertat e Barcelonë.

Megjithatë, tani që Neymari ia ka bërë të qartë klubit se ai e dëshiron ende kthimin në Camp Nou, dy vjet pasi u largua nga atje, e përditshmja spanjolle, Marca, raporton se PSG-ja ka ndryshuar mendje dhe do të dëgjojë oferta nga klubet e tjera.

Kërkesa e parisienëve prej 300 milionë eurove tashmë ka ndryshuar dhe klubi është i gatshëm t’i shqyrtojë edhe ofertat në vlerë prej 180 milionë eurove për shitjen e brazilianit gjatë afatit kalimtar të verës së ardhshme.

Qëndrimi i PSG-së ndaj Neymarit ka ndryshuar falë edhe qëndrimit që klubit po detyrohet ta mbajë drejt Kylian Mbappes, të cilin nuk dëshiron ta lejojë të largohet në asnjë mënyrë verën e ardhshme.

Sulmuesi francez është njëri ndër lojtarët më të kërkuar në Evropë për momentin dhe interesimi i Real Madridit për ta transferuar atë nuk është mbajtur aspak sekret.

Pasi që kontrata e Mbappes përfundon në vitin 2020, Los Blancos janë duke pritur për ta bërë lëvizjen e tyre në tentim për ta transferuar francezin. 

(Kosova Sot Online)