Suedia publikon listën e lojtarëve për ndeshjen kundër Kosovës

  • 10 December 2019 - 12:28
Suedia publikon listën e lojtarëve për ndeshjen kundër Kosovës

Të hënën pasdite, Janne Andersson e publikoi listën e ekipit kombëtar të Suedisë që do të luajë në ndeshjen miqësore të janarit kundër Kosovës. Në listën prej 25 lojtarëve ka vetëm lojtarë që luajnë në kampionatin vendore.

Kosova dhe Suedia do të përballen në një ndeshje miqësore në Katar, më 12 janar, në kuadër të një turneu dimëror gjatë të cilit Suedia do të përballet edhe me Moldavinë.

 “Turneu i janarit do të zhvillohet në datat 3-13 dhe kjo është skuadra që do të shkojë atje! Na presin ndeshjet kundër Moldavisë dhe Kosovës”, shkroi faqja zyrtare e Suedisë në Instagram.

Për shkak që kjo ndeshje miqësore do të zhvillohet jashtë kalendarit të UEFA-s për ndeshje kombëtare, futbollistët do të jenë të angazhuar me klubet e tyre dhe kjo ka ngjallur raportimet se trajneri Bernard Challandes do të ftojë lojtarë nga Ipko Superliga.

Këto spekulime i nxiti edhe më shumë menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, në konferencën për shtyp, duke thënë se do t’u jepet mundësi edhe lojtarëve të tjerë përveç atyre kryesorë.

“Është ndeshje që zhvillohet jashtë kalendarit të UEFA-s dhe shumica e lojtarëve do të jenë angazhime me klubet e tyre dhe nuk mund të gjejnë kohë për ndeshjen në janar. Trajnerët do të jenë në kontakt me ta pasi të definohet lista”, tha Shala.

Në anën tjetër, ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, tha se kjo ndeshje miqësore po vjen në një kohë të papërshtatshme, mirëpo se Kosova nuk e ka luksin t’i refuzojë klubet.

 “Kemi organizuar këtë ndeshje dhe do të jetë shumë e mirëseardhur edhe pse është një kohë e papërshtatshme se disa janë në pushime por nuk kemi mundur me e refuzu këtë ndeshje. Tash jemi duke punuar rreth grumbullimit se cilët lojtarë do të na bashkohen”, tha Sahiti.

“E para nuk është datë e UEFA dhe vështirë është të grumbullohen lojtarët e grupit A por jemi duke bisedua me disa lojtarë që i kemi në shtetet skandinave dhe këto ditë po presim se cili lojtar do të na bashkohet nga jashtë”.

 “Ne kemi vëzhguar edhe Superligën e Kosovës dhe kemi thënë gjithmonë që kombëtarja i ka dyert e hapura për të gjithë futbollistët. Kontaktet i kemi edhe me Herolind Shalën që të shohim ku është pas lëndimit”.

“Zyrtare do të jetë nga 8 janari në Katar dhe do ta shohim mundësinë a mund ti ftojmë lojtarët. Çdo ndeshje miqësore është e rëndësishme dhe gjithmonë përvoja përfitohet kur ke eksperienca me skuadra të forta”, përfundoi Sahiti. 

(Kosova Sot Online)