Si mund të eliminohet Liverpooli sonte nga Liga e Kampionëve

  • 10 December 2019 - 14:01
Si mund të eliminohet Liverpooli sonte nga Liga e Kampionëve

Liverpooli ka qenë mbresëlënës në këtë sezon të Premierligës, mirëpo ecuria e tyre në Ligën e Kampionëve është në rrezik këtë javë, kur skuadra e Jurgen Kloppit do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.

Liverpooli i Jurgen Kloppit udhëton në Red Bull Arena të Salzburgut të martën, duke qenë i vetëdijshëm se disfata mund t’ua sjellë atyre eliminimin nga gara të cilën e kishin fituar para gjashtë muajve.

Liverpooli për momentin është në krye të Grupit D, me një pikë më shumë sesa Napoli që është në vend të dytë dhe tre pikë më shumë sesa kundërshtari i së martës, Salzburgu. Genku radhitet në fund të grupit, me një pikë të fituar nga pesë ndeshjet deri më tani. 

The Reds i kanë humbur vetëm dy pikë nga 48 të mundshme në Premierligë këtë sezon, por i kanë humbur pesë nga 15 në Ligën e Kampionëve, shkaku i disfatës kundër Napolit në fillim të kampanjës dhe barazimit me po të njëjtën skuadër në Anfield.

Tani, Liverpoolit i garantohet kualifikimi nëse arrin t’i shmanget disfatës sonte në Red Bull Arena. Megjithatë, një disfatë do t’ia shkaktonte atyre eliminimin nga gara prestigjioze, me përjashtim të dy skenarëve që s’kanë shumë gjasa të ndodhin.

Edhe nëse humb sonte, Liverpooli do të kualifikohet nëse arrin t’i shënojë katër apo më shumë gola në këtë ndeshje kundër Salzburgut ose nëse Napoli humb në shtëpi kundër Genkut në ndeshjen tjetër.

Por, nëse Liverpooli humb sonte dhe nuk arrin t’i shënojë katër apo më shumë gola, Napolit do t’i duhej vetëm barazim për t’i eliminuar djemtë e Kloppit nga gara. Me këto rezultate, nga Grupi D do të kualifikoheshin Napoli dhe Salzburgu.

Nëse ndodh kjo gjë, atëherë Liverpooli do të bëhet fituesi i parë i Ligës së Kampionëve që eliminohet qysh në fazën e grupeve të këtij turneu që nga Chelsea në sezonin 2012/13.

(Kosova Sot Online)