Suedezi Berggren mezi po pret të luajë kundër Kosovës

  • 10 December 2019 - 14:12
Suedezi Berggren mezi po pret të luajë kundër Kosovës

22-vjeçari i BK Hacken, Gustav Berggren, është befasuar shumë që është ftuar nga Kombëtarja e Suedisë për ndeshjen miqësore kundër Kosovës, duke thënë se nuk e kishte pritur aspak këtë ftesë.

Kosova dhe Suedia do të përballen në një ndeshje miqësore në Katar, më 12 janar, në kuadër të një turneu dimëror gjatë të cilit Suedia do të përballet edhe me Moldavinë.

Në mesin e 25 futbollistëve të ftuar nga Kombëtarja e Suedisë për këtë turne është edhe mesfushori 22-vjeçar Gustav Berggren, i cili do të ketë mundësi ta bëjë paraqitjen e tij të parë për ekipin kombëtar A të Suedisë.

“Ndihem mrekullueshëm, nuk e kisha pritur aspak. Është një befasi e mirë. Kam disa shokë dhe bashkëlojtarë që më thanë se me siguri do të ftohesha, por unë nuk e prisja fare”, ka thënë Berggren.

Berggren po ngrihet nga ekipi kombëtar U19 drejt e te ekipi kombëtar A, pasi që ai nuk është ftuar asnjëherë nga Kombëtarja U21.

“Unë mezi po e pres tani. Jam shumë i lumtur që po shkoj atje dhe do të marr gjithçka ashtu si të më vije. Unë e di se çfarë mund të bëj, unë do të shkoj atje për ta dhënë më të mirën time dhe do ta shohim se sa do të më zgjasë”, shtoi Berggren.

“Debutimi do të ishte një ditë e madhe për mua, një arritje dhe diçka që e kam ëndërruar që kur kam qenë shumë i vogël. Unë shpresoj të vazhdoj të ec përpara në karrierën time”.

Për shkak që kjo ndeshje miqësore do të zhvillohet jashtë kalendarit të UEFA-s për ndeshje kombëtare, futbollistët do të jenë të angazhuar me klubet e tyre dhe kjo ka ngjallur raportimet se edhe trajneri Bernard Challandes do të ftojë lojtarë nga Ipko Superliga në Kombëtaren e Kosovës. 

(Kosova Sot Online)