Zyrtare: Deschamps e vazhdon kontratën me Francën

  • 10 December 2019 - 16:51
Zyrtare: Deschamps e vazhdon kontratën me Francën

Didier Deschamps ka nënshkruar kontratë të re me Kombëtaren e Francës, e cila do ta mbajë atë në postin e trajnerit deri në vitin 2022.

Kontrata e kaluar e Deschamps do të mbaronte pas përfundimit të Kampionatit Evropian 2020, por pas suksesit si trajner i ekipit kombëtar, atij i është ofruar garanci për të vazhduar deri në përfundim të Kupës së Botës në Katar më 2022.

Ish-trajneri i Marseille, i cili është ndër personat e rralë që e ka fituar Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner, u emërua në stolin e Francës në vitin 2012, duke e zëvendësuar Laurent Blanc që zhgënjeu në Euro 2012.

Deschamps e ka drejtuar Francën në 100 ndeshje deri tani, duke i fituar 65 nga to.

Suksesi më i madh i tij erdhi më 2018, kur e udhëhoqi Francën drejt fitimit të Kupës së Botës për herë të dytë dhe për herë të parë që prej vitit 1998. 


(Kosova Sot Online)