Probleme të reja rrezikojnë El Clasicos, Federata spanjolle cakton takim emergjent

  • 11 December 2019 - 09:05
Probleme të reja rrezikojnë El Clasicos, Federata spanjolle cakton takim emergjent

Federata e Futbollit e Spanjës do të mbajë të mërkurën takim emergjent për t’i diskutuar masat që duhet të ndërmerren për të ofruar siguri për futbollistët që do të luajnë në El Clasico, më 18 dhjetor.

Federata spanjolle dëshiron t’i analizojë dhe t’i vlerësojë të gjithë skenarët e mundshëm, ku mund të përfshihet edhe mundësia që dy klubet dhe gjyqtarët të mos kenë mundësi të arrijnë në stadium.

Në këtë takim emergjent, që u raportua nga Tiempo de Juego, Federata e Spanjës mund të vendosë ta aktivizojë nenin 42.3 të statutit të vet kur deklarohet se një ndeshje duhet të zhvillohet në një stadium neutral.

Tiempo de Juego gjithashtu raporton se ministria e brendshme ka garantuar se ndeshja mund të zhvillohet pa asnjë rrezik, pasi që ministra Fernando Grande-Marlaska do të takohet me policinë lokale për ta bërë një plan për këtë ndeshje, përfshirë këtu thirrjen në detyrë të policëve shtesë.

Ky takim emergjent vjen pasi që grupi protestues katalonas “Cunami Demokratik” paralajmëroi të martën se do t’i bllokojë rrugët përreth stadiumit Camp Nou përmes një proteste në ditën e ndeshjen, duke shtuar se tashmë mbi 18 mijë njerëz janë regjistruar për të marrë pjesë.

Ky lajmërim nga Cunami Demokratik i ka ngritur dyshimet për sigurinë e skuadrave dhe tifozëve, tani që kanë mbetur vetëm edhe tetë ditë deri në ndeshje.

Për këtë arsye edhe u thirr takimi emergjent në Federatën e Futbollit të Spanjës, ku aktualisht nuk është planifikuar të marrin pjesë përfaqësues të Real Madridit dhe Barcelonës.

(Kosova Sot Online )