Shaw tallet me Lukakun, pas eliminimit të Interit nga Liga e Kampionëve

  • 11 December 2019 - 09:59
Shaw tallet me Lukakun, pas eliminimit të Interit nga Liga e Kampionëve

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Luke Shaw, e mirëpriti Romelu Lukakun në Ligën e Evropës, pasi Interi s’arriti të kualifikohet nga faza e grupeve në atë eliminatore të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Antonio Contes, që luajti kundër Barcelonës në San Siro, duhej të siguronte rezultat të njëjtë me atë të Borussia Dortmundit kundër Slavia Prague për ta zënë një vend në mesin e 16 klubeve të kualifikuara nga faza e grupeve të Championsit.

Kampionia në fuqi e Spanjës e ndryshoi një pjesë të madhe të formacionit, pasi që veçse e kishte siguruar kualifikimin në fazën eliminatore. Megjithatë, katalonasit arritën ta mposhtin Interin me rezultat 2:1.

Barcelona fillimisht kaloi në epërsi përmes një goli të shënuar nga Carles Perez në minutën e 23-të të ndeshjes, ndërsa Lukaku e barazoi rezultatin pak para se të përfundonte pjesa e parë. Megjithatë, shpresat e Interit i shoi 17-vjeçari Ansu Fati, i cili u bë golashënuesi më i ri në histori të Ligës së Kampionëve.

 Kjo disfatë dhe fitorja e Dortmundit me rezultat 2:1 kundër Slavias bënë që Interi të eliminohet nga Liga e Kampionëve dhe të kthehet në Ligën e Evropës.

Shaw, i cili kishte luajtur bashkë me Lukakun për dy sezone në Manchester United para transferimin të belgut në San Siro në gusht, u tall me ish-bashkëlojtarin e tij në rrjetet sociale pas kësaj ndeshjeje.

Vetëm disa orë para se të fillonte ndeshja kundër Barcelonës, Lukaku e kishte publikuar një fotografi të tij duke qeshur gjatë një seance stërvitore, duke shkruar mbi të UCL (UEFA Champions League).

Pas dështimit të Interit në Ligën e Kampionëve, Shaw shkroi “Mirë se vjen sërish”, mbi postimin origjinal të belgut, duke u tallur me të.

(Kosova Sot Online )