Gjyqtari nga Kosova ndan drejtësinë në ndeshjen e Man Unitedit

  • 11 December 2019 - 11:17
Gjyqtari nga Kosova ndan drejtësinë në ndeshjen e Man Unitedit

Në mesin e katër gjyqtarëve për ndeshjen e së enjtes mes Manchester Unitedit dhe AZ Alkmaarit, në kuadër të Ligës së Evropës, do të jetë edhe Bekim Zogaj.

Manchester Unitedi do ta presë Alkmaarin në “Old Trafford” të enjten në orën 21:00, në ndeshjen e vlefshme për Grupin L të Ligës së Evropës.

Pasi që tashmë e ka siguruar kualifikimin në fazën eliminatore, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer do të tentojë ta sigurojë vendin e parë në grup, në mënyrë që të ketë fat më të mirë në shortin për fazën e 1/16 të finales.

Manchester Unitedit i duhet vetëm një pikë për ta fituar grupin, megjithatë anglezët do të shpresojnë t’i fitojnë të gjitha ndeshjet në shtëpi në Evropë këtë sezon.

Për këtë ndeshje në Old Trafford do të shërbejë si gjyqtar anësor shqiptari me nënshtetësi zvicerane Bekim Zogaj, i cili i ka 91 ndeshje të referuara në garat vendore në Zvicër.

“Sandro Scharer i Zvicrës do të jetë gjyqtari kryesore të enjten në mbrëmje. 31-vjeçari i ka drejtuar dy ndeshje të Ligës së Evropës këtë sezon, përfshirë këtu fitoren 4:0 të Arsenalit kundër Standard Liege në Emirates Stadium në tetor, duke ndëshkuar tetë lojtarë me kartonë të verdhë dhe një me të kuq gjithsej”, shkruhet në uebsajtin zyrtar të Manchester Unitedit.

“Ai do të ndihmohet nga Stephane de Almeida dhe Bekim Zogaj, ndërsa Fedayi San do të shërbejë si gjyqtar i katërt. Ne duam t’ua rikujtojmë se sistemi VAR nuk përdoret në fazën e grupeve të Ligës së Evropës 2019/20”. 

(Kosova sot Online)