Joshua u përgjigjet kritikave të ashpra të Wilderit

  • 11 December 2019 - 11:51
Joshua u përgjigjet kritikave të ashpra të Wilderit

Anthony Joshua i është përgjigjur Deontay Wilderit, pasi ky i fundit e kritikoi paraqitjen e britanikut në fitoren për titujt e kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda kundër Andy Ruiz Jr.

Anthony Joshua i rifitoi titujt e tij IBF, WBO, WBA dhe IBO, në kategorinë e peshave të rënda në boks, me fitoren e së shtunës kundër Andy Ruiz Jr. I vetmi titull që i mungon atij në kategorinë e peshave të rënda është ai i WBC, të cilin e mban Deontay Wilder.

Përkundër fitores, Wilder nuk ishte i impresionuar me paraqitjen e Joshuas dhe e kritikoi atë që e pati Wladimir Klitschkon në kampin e tij dhe e përdori stilin mërzitës të legjendës ukrainase në boks.

“Joshua bëri çfarë u desh të bënte për ta marrë fitoren. Ai vrapoi rreth ringut dhe ishte në biçikletë gjatë gjithë ditës. Domethënë, ai e pati Klitschkon në ekip dhe luftoi si ai, ashtu luftoi gjatë gjithë natës”, u shpreh Wilder.

“Duhet ta dominosh një ndeshje boksi, burrë. Ndoshta unë jam shumë i ashpër dhe jam shumë i përsosur për këtë epokë. Ndoshta bota tani e do atë mirësinë e m*tit…. mentaliteti im është ndryshe nga të tjerët”.

Joshua u vu në dijeni për këto komente të Wilderit dhe ai e theksoi se disa persona, si amerikani, ushqehen nga negativiteti.

“Ai është mendimi i Wilderit. Shumë njerëz nuk e kanë asnjë pikë të mirë në trupin e tyre për të thënë diçka pozitive. Unë e mposhta kampionin botëror në 12 runde. Nuk mendoj se e humba ndonjë rund, ndoshta një”, u përgjigj Joshua.

“Erdha me një plan të madh dhe pata sukses. A nuk është kjo mjaftueshëm e mirë? Nuk mund të boksosh për t’i bërë të gjithë të lumtur, duhet të boksosh për të fituar. Dhe kur unë jam në shtëpi duke fituar, ai flet për gjëra negative”. 

(Kosova Sot Online)