Solskjaer i siguron tifozët e Man Unitedit: Pogba do të luajë në shumë ndeshje

  • 11 December 2019 - 13:38
Solskjaer i siguron tifozët e Man Unitedit: Pogba do të luajë në shumë ndeshje

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer është i sigurt se mesfushori Paul Pogba do të luajë në shumë ndeshje për Manchester Unitedin kur të shërohet plotësisht nga lëndimi i tij, përderisa e konfirmoi se Nemanja Matici do të kthehet në skuadër për herë të parë që nga tetori.

Paul Pogba nuk ka luajtur për Manchester Unitedin që nga barazimi me rezultat 1:1 me Arsenalin në shtator, kur kishte luajtur me një lëndim të kyçit të këmbës.

Mesfushori francez është përfolur për një largim të mundshëm nga klubi anglez që një kohë të gjatë tani, pasi që Real Madridi është i interesuar ta transferojë atë dhe trajneri Zinedine Zidane nuk e ka mbajtur sekret dashurinë e tij për bashkëkombësin e vet.

Dhe përderisa Solskjaer nuk ishte i gatshëm ta japë një datë të saktë për kthimin e Pogbas, ai e pranoi se po shpreson ta shohë francezin të përfshirë në skuadër para fundit të këtij viti kalendarik.

“Është ende shumë herët. Ne shpresojmë që ai do të kthehet për të luajtur në vitin 2019. Ai është duke punuar shumë që të kthehet sa më shpejt, kështu që shpresojmë ta shohim së shpejti në fushë”, ka thënë Solskjaer.

“Le të shërohet fillimisht, le të kthehet në formë të mirë dhe pastaj ai do të luajë në shumë ndeshje. Ai është njëri ndër lojtarët më të mirë në botë dhe ne mezi po presim ta kemi atë në skuadër sërish”.

Solskjaer gjithashtu e konfirmoi se është ende shumë herët për Diogo Dalotin për t’u kthyer, përderisa Matici, i cili ka qenë i lënduar që nga barazimi pa gola kundër Alkmaarit, tani pritet të kthehet në skuadër për ndeshjen e së enjtes.

“Ai është shëruar. Do të jetë i përfshirë në ndeshjen e radhës”, përfundoi Solskjaer.

(Kosova Sot Online)