Pronari i Liverpoolit, në aeroplanin që rrëshqiti nga pista

  • 11 December 2019 - 15:42
Pronari i Liverpoolit, në aeroplanin që rrëshqiti nga pista

Pronari administrues i Liverpoolit, Mike Gordon, ka shpëtuar pa lëndime, pasi aeroplani në të cilin ishte rrëshqiti nga pista në Aeroportin John Lennon në Liverpoolin, të mërkurën në mëngjes.

Presidenti i Grupit Fenway Sports ishte në rrugën drejt Anfieldit për një takim të paraplanifikuar me bordin e klubit.

Gordon dhe tre pjesëtarë të stafit të aeroplanit ishin në aeroplan në atë moment, mirëpo ata shpëtuan pa lëndime dhe nuk patën nevojë për trajtim mjekësor.

“Ne mund ta konfirmojnë se kishte një incident rreth orës 6 të mëngjesit, kur një aeroplan privat rrëshqiti pasi mbërriti në pistë”, ka bërë të ditur për mediat britanike zëdhënësja e aeroportit.

Aeroplanët që pritej të arrinin sot në Liverpool nga Salzburgu, ku Liverpooli luajti të martën, u drejtuan për në Mançester, në mënyrë që të mënjanohen incidentet e mundshme.

Gordon është pronari i dytë me më së shumti aksione në Liverpool, pas pronarit kryesor dhe bashkëthemeluesit të Grupit Fenway Sports, John W Henry.

Liverpooli e siguroi kualifikimin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve si fitues i grupit, të martën në mbrëmje, pasi e mposhti Red Bull Salzburgun me rezultat 2:0.

(Kosova Sot Online)