Kina s’e njeh Kosovën, por Distria Krasniqi bën që flamuri kosovar të ngrihet më së larti atje

  • 12 December 2019 - 12:00
Kina s’e njeh Kosovën, por Distria Krasniqi bën që flamuri kosovar të ngrihet më së larti atje

Trajneri i xhudos Driton Kuka i është gëzuar triumfit të Distria Krasniqit në World Masters Tour sot, pasi që ka theksuar se xhudistja kosovare ka bërë që Kosova të jetë gjithandej në Kinë, vend ky që s’ia njeh pavarësinë.

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka arritur ta fitojë medaljen e artë për Kosovën në kategorinë deri në 48 kilogramë të World Judo Masters, që po mbahet aktualisht në Qingdao të Kinës.

World Judo Masters është gara e fundit për këtë vit në kalendarin e garave të IJF dhe EJU. Në këtë garë marrin pjesë 32 xhudistët e parë të ranguar në ranglistën Botërore të Federatës Botërore të xhudos në secilën kategori.

Në finalen e madhe, kosovarja e dëshmoi sërish forcën e vet duke e mposhtur do të xhudisten nga Moldavia, Naransetseg Ganbaatar, të cilën e mposhti në Golden Score, dhe u sigurua që flamuri i Kosovës të ngrihet më së larti në Kinë.

“Kina e largët po njoftohet me protagonistët e një shteti të ri, që s’e njeh zyrtarisht por sot do ta ketë rastin të na njoh përmes medaljes së fituar atje, të shpresojmë në atë me shkëlqimin më të madh!”, kishte shkruar Kuka në llogarinë e tij në Facebook, para finales së Krasniqit.

Vetëm pak kohë më vonë, trajneri i famshëm i xhudos iu gëzua suksesit të Distria Krasniqit, e cila arriti t’ia fitojë Kosovës medaljen e artë në Kinën që s’ia njeh pavarësinë shtetit kosovar.

“Pak vëmendje ju lutem … Kosova gjithandej në Kinë … Urime e arta Distria! Dhuratën më të bukur të ditëlindjes ja dhurove vetes me djersë e mund por jo vetëm. Shqiptarët në mbarë Botën krenar me ty! Trajneri në veçanti”, shtoi Kuka, pas finales.

Në këtë garë, Kosova po përfaqësohet edhe nga Nora Gjakova, e cila pësoi disfatë qysh në rundin e parë, ndërsa nesër do të garojë edhe Akil Gjakova. 

(Kosova Sot Online)