Drejtori sportiv i Salzburgut e konfirmon: Liverpooli, në bisedime me Minaminon

  • 12 December 2019 - 14:30
Drejtori sportiv i Salzburgut e konfirmon: Liverpooli, në bisedime me Minaminon

Drejtori sportiv i Red Bull Salzburgut, Christoph Freund, e ka konfirmuar se klubi është në bisedime me Liverpoolin për shitjen e Takumi Minaminos.

Ashtu siç ishte raportuar më parë, Liverpooli pritet ta transferojë japonezin gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që klubi thuhet se është i gatshëm t’ia paguajë klauzolën për shkëputjen e kontratës së futbollistit me Salzburgun, që është vetëm 7.25 milionë funte.

24-vjeçari i ka shënuar nëntë gola në 22 paraqitjet e tij për Salzburgun në të gjitha garat këtë sezon, përderisa ka ndihmuar edhe me 11 asiste.

Liverpooli ishte raportuar se është kandidati favorit për ta siguruar transferimin e Minaminos dhe tani është konfirmuar se një marrëveshje mund të arrihet para 1 janarit, kur do të hapet afatit kalimtar i janarit.

“Unë mund ta konfirmoj se jemi në bisedime me Liverpoolin. Është një nder për ne kur këto klube interesohen për lojtarët tanë”, ka thënë drejtori sportiv i Salzburgut, Cristoph Freund. 

(Kosova Sot Online)