Lëndimi ia mohon Akil Gjakovës luftën për medalje të bronztë në Kinë

  • 13 December 2019 - 09:56
Lëndimi ia mohon Akil Gjakovës luftën për medalje të bronztë në Kinë

Xhudisti pejan ishte në rrugë të mirë për ta fituar medaljen e bronztë përmes repesazhit në “World Judo Masters”, por lëndimi ia mohoi një gjë të tillë. Ai e mbylli garën në Kinë në pozitën e pestë

Akil Gjakova ka qenë i pafat në “World Judo Masters”, që po mbahet në Kinë.

Xhudisti kosovar shfaqi formë mjaft të mirë në këtë kompeticion prestigjioz, por një lëndim e la atë pa medalje.

Në fakt, Akili do të luftonte pas pak për medalje të bronztë përmes repesazhit ndaj xhudistit nga Azerbajxhani, Rustam Orujov.

Mirëpo, Gjakova pësoi lëndim në gjysmëfinale dhe ky lëndim ia pamundësoi paraqitjen në luftën për medalje të bronztë në kategorinë 73 kilogramë.

Akili ishte mjaft i suksesshëm në luftërat e para.

Ai e mposhti fillimisht gjermanin Anthony Zingg në rrethin e parë.

Më pas, Gjakova ishte më i mirë se rusi Musa Mogushkov.

Dhe, kualifikimin në gjysmëfinale Akili e siguroi përmes fitores ndaj kinezit Saiyinjirigala.

Fatkeqësisht, xhudisti kosovar u mposht në këtë fazë nga japonezi Soichi Hashimoto shkaku i lëndimit.

Sidoqoftë, ai i fitoi 648 pikë olimpike.

Paraprakisht, dje Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në këtë garë, ndërsa Nora Gjakova u eliminua herët.

(Kosova Sot Online )