Mourinho ngurron të flasë për të ardhmen e Eriksenit

  • 14 December 2019 - 09:21
Mourinho ngurron të flasë për të ardhmen e Eriksenit

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, ka thënë se ai është i lumtur me paraqitjet e Christian Eriksen, mirëpo ka refuzuar ta komentojnë të ardhmen e tij në mesin e spekulimeve për largimin e danezit nga klubi londinez.

Christian Eriksen besohet se do të largohet nga Tottenhami, ose në afatin kalimtar të janarit ose në atë të verës, kur edhe i përfundon kontrata aktuale me klubin anglez.

Pasi që klube si Real Madridi dhe Barcelona kanë shprehur interesim për Eriksenin, ai besohet se ka vendosur të largohet, veçanërisht pasi që i janë besuar më pak minuta lojë këtë sezon, duke luajtur në vetëm nëntë ndeshje deri më tani.

Kur u pyet për të ardhmen e Eriksenit në klub, Mourinho nuk zbuloi shumë, duke thënë vetëm se ka marrëdhënie të mirë me 27-vjeçarin.

“Unë vetëm e di se kontrata e tij përfundon në fund të sezonit dhe bisedat që i kam pasur me të janë private, kështu që nuk do t’i ndaj me ju”, ka thënë Mourinho.

“Ai ka qenë shumë i sinqertë me mua dhe unë me të – marrëdhënia jonë është shumë, shumë e mirë. Këtë marrëdhënie të mirë e nisëm qysh në ditën e parë. Nuk do ta tradhtoj atë besim apo marrëdhënie”.

“Christian natyrisht se e di që është pjesë e rëndësishme e klubit dhe puna ime është që t’ia them këtë drejtuesve të klubit, jo juve. I takon Christianit të flasë për të ardhmen e tij, kur të dojë ai”. 

(Kosova Sot Online)