“Minamino është i përsosur për Liverpoolin”

  • 14 December 2019 - 10:59
“Minamino është i përsosur për Liverpoolin”

Ish-futbollisti i Liverpoolit, Jason McAteer, beson se Takumi Minamino është i përsosur për gjigantin anglez, duke e aprovuar kështu transferimin potencial të sulmuesit në Anfield gjatë afatit kalimtar të janarit.

Liverpooli është afër arritjes së një marrëveshjeje për ta transferuar Takumi Minaminon gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që tashmë janë konfirmuar bisedimet mes tyre dhe klubit austriak, Red Bull Salzburg.

Liverpooli do ta aktivizojë klauzolën e tij prej 7.25 milionë funtesh për t’ia shkëputur kontratën 27-vjecarit me Red Bull Salzburgun dhe pastaj vetëm do të duhet t’i kryejnë testet mjekësore dhe të arrijnë marrëveshje personale me futbollistin.

McAteer, i cili luajti në Anfield gjatë viteve 1995 dhe 1999, është impresionuar nga paraqitjet e sulmuesit të Salzburgut në Evropë dhe ai mendon se ai i ka të gjitha karakteristikat e nevojshme për ta përforcuar skuadrën aktuale të Jurgen Kloppit.

“Takumi Minamino është i përsosur për Liverpoolin. Ata e kanë parë yllin japonez nga afër në Ligën e Kampionëve dhe si unë kanë qenë të impresionuar nga ai”, ka thënë McAteer për Racing Post.

“Në ndeshjen e parë mes dy skuadrave, Minamino ishte plotësisht kyç në paraqitjen mbresëlënëse të Salzburgut në pjesën e dytë të ndeshjes. Ai gjente hapësirë në fushë, ishte i mençur dhe kishte shumë energji. AI shënoi, duke e shfrytëzuar rastin e tij shumë mirë”.

“Ai do ta përforconte skuadrën. Nuk do ta them se ai do t’ia zë vendin njërit prej tre sulmuesve të parë të Liverpoolit, por nëse do e kërkoja dikë për ta futur nmë lojë për gjysmë ore, me energjinë dhe trurin e tij, ai do të ishte i përsosur”. 

(Kosova Sot Online)